Kulturë

Vlerësim për librin me poezi “Ëmbëlsisht bosh”, të poetes Thomaidha Tanuçi

Thomaidha Tanuçi / “Ëmbëlsisht bosh”
Thomaidha Tanuçi / “Ëmbëlsisht bosh”

Libri poetik “Ëmbëlsisht bosh”, i poetes Thomaidha Tanuçi

Shkruan: Robert Martiko, shkrimtar

Thomaidha Tanuçi Cullufe, autore e librit me poezi të titulluar “Ëmbëlsisht bosh”, fillon rrugën poetike në një ajër të trishtuar, në ujëra pa fund, në një mjegull të dendur vetmie, të provokuara nga largimi pa kthim i njerëzve të dashur. Lexuesit i jepet në këtë mënyrë mundësia të ndjekë një udhëtim të një natyre të çuditshme, duke u bërë pjesë e ndjenjave të një bote mjaft të veçantë e delikate, që vetëm një shpirt poetik, si i poeteshës në fjalë, është në gjendje të realizojë në mënyrë estetike.

Të bien padashur në mendje fjalët e poeteshës së famshme amerikane, Emily Dickinson, që thotë se poetët do të ishin krijesa të gatshme për të ndezur një llambë e më pas të zhdukeshin: figura që për këtë arsye dinë të sugjerojnë ushqim të rëndësishëm për mendimin në disa rreshta, por që më pas i lënë pezull, për të na dhënë mundësinë për t’i pasuruar ato me idetë tona, përvojat tona, ndjeshmërinë tonë personale. Duken si fjalë pa ndonjë rëndësi të madhe, por kulturat më paqësore dhe më të zhvilluara në botë janë ndërtuar pikërisht mbi parimin e brendësimit në shpirt të gjërave botës së jashtme.

Ja se si e paraqet këtë përshkrim bote të çuditshme vetë autorja, e njohur në Facebook edhe me pseudonimin Tho Ta:

“Udhëtoj me varkën prej druri / që ndërtova vetë; / jam bija jashtëmartesore e lumit / që më mban fshehur prej detit / të mos më rrëmbejë”.

Një tipar me vlerë i poezisë së Thomaidhës është tërheqja që shkaktojnë vargjet e saj drejt një bote ndjenjash, ku provon të të shoqërojë dëshira për të vijuar leximin pa e ndërprerë. Gjen në ato rreshta dhe përfytyrimin e një veçantie të rrallë se humbja e një personi të adhuruar, bën një grua, (Aidën që ka humbur Rolandin), të mos mundë të përfytyrojë dot veten, qoftë dhe në një jetë ideale apo në një bote të përfytyruar jashtëtokësore. Të duket sikur çdo varg i kësaj natyre, për qenien në fatkeqësi, merr frymë veç me qëllim, për ta mbajtur përgjithmonë të paprekur nga bota e jashtme, e cila ka shkaktuar ndryshimin. Dhe ngaqë ekziston pikërisht kjo natyrë gjërash, shpirtrat e kultivuar gjejnë gjithnjë ngushëllim jo vetëm në magjinë e artit, por edhe në botën e bukur të revelacionit apo të zbulimit të gjërave, me karakter thellësisht shpirtëror.

Ja disa vargje karakteristike të botës së brendshme shpirtërore të poeteshës:

“Të kishe furinë e Marsit, / siç kishe butësinë e mëndafshtë të flokëve, / do të ishim në një ishull që e rrethojnë valët /  ne shtegtarë në planetin Mars / të marr peng prej kohës që na ndau…”

“e unë jam e padukura; / e humbura e kohës, / e gjetura e ëndrrës”.

Autorja vijon akoma më tej, me një gamë akoma më të gjerë emocionesh e situatash, ku çdo lexuesi i jepet mundësia për të gjetur vetveten.

Vlen të theksohet në këtë rast se çdo pjesë muzikore, çdo pikturë, çdo tekst poezie apo proze, që i bie një lexuesi për të lexuar, nuk ka dhe aq shumë rëndësi për të kujtuar ngjarje analoge të së kaluarës në jetën e tij. Rëndësi jetike, që arti të ndikojë në jetën e njeriut, ka përjetimi i së kaluarës së tij, gjithnjë nën prizmin e nxjerrjes së kuptimit të jetës. Nëse ndodh kjo, është sikur të ketë filluar të ndryshojë vetë ekzistenca humane. Sepse ndodh kalimi nga një botë pa lidhje dha pa kuptim gjërash, në një botë tjetër të re, ku kujtimet e natyrës së sipërfaqshme i zëvendëson ndjenja e gjallë e kujtesës, që ka cilësinë pothuajse magjike të jetë përherë në kohën e tanishme, që bën të mundur ndryshimin e shoqërive të tëra shumëmilionëshe, porsa bie mbi to fara e jashtëzakonshme e Rilindjes Shpirtërore.

Në këtë mënyrë poezia, sidomos kur autore është një grua, fiton vlerë për t’i dhënë kuptim jetës. Gjërat me karakter qiellor nuk i ofron vetëm feja, por edhe shpirti poetik i një gruaje që nëpërmjet vargjeve, sjell për lexuesin qiellin si aspiratë. Jetojmë në një Kohë që asgjë nuk qëndron në vend për mendimin e rilindur perëndimor. Thomaidha shpesh përmend në vargjet e saj emra mitologjikë, që të lexuar në dritën e re të kohës së sotme bëjnë të gjallë e dinamik mendimin, me një të vërtetë përherë në lëvizje të pa ndaluar.

Sidomos dashuritë e paraqitura në poezi në trajtën e shpirtrave të bukur, siç është karakteristike e Autores, vlejnë për të mbushur mungesën e plotësisë së çdo njeriu, i lindur në një gjendje të paplotësuar nga vetë natyra. Ajo mund të marrë në poezi të gjithë bukurinë e përfytyruar dhe është sikur t’i thotë çdo gruaje tjetër në botë se me dashurinë tënde pa fund si rilindëse e jetës, je edhe një forcë e jashtëzakonshme për ndryshimin e saj.

Duke i uruar poeteshës së talentuar suksese të mëtejshme, gjithnjë me idenë e Rilindjes Shpirtërore që në Shqipëri, historikisht, nuk ekziston as ideja, mund të shtoj se jeta e vërtetë nuk është ajo që ndodh. Ekzistenca e gjithkujt është kur ndodh konceptimi i jetës, në një kërkim pa fund për kuptimin e saj, gjithnjë duke pasur gjithë vëmendjen mbi ndërgjegjen vetjake, që ndërton botë, kulturë, qytetërim, të shoqëruar gjithnjë me një fat të ri, çlirues, për shoqërinë humane.

/Shqip.com