Vjosa Osmani e bindur: Jemi kundër Asociacionit me kompetenca ekzekutive

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, në një intervistë dhënë REL-it, pas Samitit të Pragës, ka thënë se është kundër një Asociacioni me kompetenca ekzekutive.
Përveç tjerash, Osmani ka thënë se e mbështet secilën iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës e ka mbështetjen time. Komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ”, tha Osmani.
Sipas presidentes Osmani, në takimin me udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, i është kërkuar që të intensifikohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
E pyetur për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, ajo tha se ai vendim bazohet në vendimet diskriminuese të kohës së Millosheviqit dhe se Kosova duhet të jetë e kujdesshme për situatat që mund të krijohen në vend me vendime të tilla.
Presidentja Osmani ka qëndruar dje dhe sot në Pragë, ku e ka përfaqësuar Kosovën në Samit dhe ka pasur mundësi të zhvillojë takime të rëndësishme me liderë të ndryshëm nga Evropa./SHQIP.com
/Shqip.com