Lajme

Vizita në Mynih, Kurti: Kërkova që Serbia t’i hap arkivat – njohja nga Greqia dhe takimi me Borrelin dhe Lajçakun

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti në Konferencën e Sigurisë në Gjermani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar pjesëmarrjen e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Kurti thotë se gjatë dy ditëve e gjysmë ka zhvilluar 17 takime takime bilaterale e biseda me liderë e përfaqësues politikë nga Evropa dhe bota.

“Për marrëdhëniet bilaterale dhe fushat e bashkëpunimit biseduam me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, me kryeministrin e Bullgarisë, Kiri Petkov, dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimistar Kovaçevsik”, ka shkruar kryeministri në “Facebook”.

Ndërsa thekson se i shoqëruar nga presidentja, Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, të cilit i ka kërkuar që ta njohë Kosovën si shtet.

Takime ka pasur edhe me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak me të cilët ka  diskutuar për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Albin Kurti, Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special për BE Miroslav Lajçak

“Ndërkaq në takimin me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn kërkuam dhe morëm premtim për më shumë mbështetje financiare dhe teknike në fushën e arsimit dhe punësimit të të rinjëve”, ka theksuar Kurti.

“Me zëvendëskryeministren Gërvalla zhvilluam takime dhe me udhëheqësit e subjekteve politike gjermane, kryesuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil, me kryetarin e Unionit Kristian Demokratik të Gjermanisë, Friedrich Merz, dhe bashkë-drejtuesin e Partisë së Gjelbër gjermane, deputetin Omid Nouripour”.

Ndër tjerash, Kurti thekson se gjatë panelit të titulluar “Humbur në tranzicion: Sfidat dhe perspektivat e llogaridhënies dhe drejtësisë tranzicionale”, ka kërkuar hapjen e arkivave shtetërore në Serbi “pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë”.

Ndërsa me Presidentin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Peter Maurer ka folur për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë./Shqip.com