Vitia: Ministria do të shtojë investimet për të ngritur cilësinë e shërbimeve për qytetarët

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vizituar sot Klinikën e Kirurgjisë Abdominale dhe Urologjisë, ku gjatë takimeve me udhëheqësit e tyre, temë diskutimi ishte rritja e kapaciteteve shëndetësore dhe përmirësimi i shërbimeve.
Ai me këtë rast kërkoi nga profesionistët mjekësorë që të angazhohen në përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e efikasitetit në shërbime shëndetësore.
Në këtë takim u tha se trajtimi dhe shërbimet sa më të mira për qytetarët duhet të jenë synimi i përbashkët, andaj, siç tha Ministri Vitia, duhet të rritet insistimi që të shtohen kërkesat në mënyrë që të ofrohen shërbime sa më cilësore.
“Synimi ynë është i përbashkët që të trajnojmë specialistët, si dhe të shtojmë numrin e intervenimeve operative.Do të bëhen investime në infrastrukturë, ku përveç filtrit të sallava duhet të ofrohen kushte dinjitoze për stafin dhe pacientët.
Tashmë e kam nënshkruar një dokument në vlerë prej 41 milionë eurove që do të jenë në shërbim të infrasktrurës dhe avancimit të kushteve të punës”, deklaroi Ministri gjatë takimit.
“Rekrutimet e profesionistëve shëndetësorë që janë në procedurë do të plotësojnë nevojat dhe kërkesat e Klinikave në QKUK me qëllim të realizimit të objektivit për ta rritur performancën dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore”, përfundoi fjalën e tij Ministri Vitia.
Nga ana e tyre, udhëheqësit e klinikave e falënderuan Ministrin Vitia për përkushtimin që bashkërisht të përmirësohen shërbimet shëndetësore në klinikat përkatëse.
/Shqip.com