Lajme

Vijon sot seanca konstituive në parlamentin e Kosovës, në rendin e ditës zgjedhja e kryetarit të Kuvendit

Sot, duke filluar nga ora 15:00, do të vijojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, me shqyrtimin e pikave të mbetura nga seancat e kaluara. Në rend dite janë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve.

Në seancën e së shtunës, deputetët përfunduan me votimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, si dhe me betimin e tyre. Megjithatë, tentativat për të zgjedhur kryeparlamentaren dështuan dy herë, ku Albulena Haxhiu, e propozuar nga partia fituese, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme. Pavarësisht këtyre dështimeve, Haxhiu ka konfirmuar se do të jetë sërish emri i propozuar për këtë post, duke theksuar vendosmërinë e subjektit të saj politik për të udhëhequr Kuvendin.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një komunikate zyrtare, ka bërë me dije se respekton të drejtën kushtetuese të partisë fituese për të propozuar kryetarin e Kuvendit, por kjo nuk përbën domosdoshmërisht një mbështetje për kandidaturën në fjalë. Sipas tyre, ka ardhur koha që të themelohen institucionet e reja të vendit dhe procesi të ecë përpara, shkruajnë mediet e Kosovës.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi pas seancës së së shtunës se situata me numrat për formimin e institucioneve është bërë e qartë dhe theksoi faktorët që kanë sjellë në bllokimin aktual.

Në të njëjtën linjë, udhëheqësi i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka theksuar rëndësinë që ka funksionalizimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja për vendin, duke apeluar për përgjegjësi dhe veprim të shpejtë nga ana e spektrit politik.

/Shqip.com