Lajme

VIDEO/ Vrau të dënuarin në burgun e Peqinit, Sokol Mjacaj del para gjykatës i qetë

Ka nisur në Gjykatën e Elbasanit seanca gjyqësore për masën e sigurisë ndaj Sokol Mjacajt, i cili disa ditë më parë vrau në burgun e Peqinit, Arben Lleshin. Siç duket edhe nga pamjet, Mjacaj shoqërohet nga forca të shumta policie edhe në sallën e gjyqit.

Po sot pritet të jepet masa e sigurisë edhe për zyrtarët e burgut të Peqinit që u ndaluan pas ngjarjes së rëndë.

Në pamje ai duket i qetë dhe nuk reflekton pendesë edhe pse mbi të rëndon vrasja e katërt në historikun e tij kriminal të nisur që në moshë minorene.

Kujtojmë se Mjacaj ekzekutoi me armë zjarri Arben LLeshin, të Premten e shkuar. Sigurisht ky rast mori të gjithë vëmendjen mediatike dhe jo vetëm, pasi ndodhi në një nga burgjet e sigurisë së lartë në vend.

I plagosur mbeti dhe shoku i qelisë së Lleshit, Indrit Shaqja. Teksa është aluduar se vrasja ka të bëjë me një porositje nga jashtë në formë gjakmarrjeje, Mjacaj e ka mohuar para hetuesve, duke mos përmendur asnjë emër tjetër.

Megjithatë bazuar në këto dyshime policia ka ushtruar kontroll në banesën e të vëllait të tij me qëllim sekuestrimin e ndonjë materiali të vlefshëm për hetimin, por pa sukses.

Në pranga kanë përfunduar dhe 12 zyrtarë të burgut të Peqinit, mes tyre dhe drejtori i komanduar Kamber Hoxha.

/Shqip.com