Rozë

VIDEO/ Capital T “ndez” kuqezinjtë, publikohet himni për kombëtaren në Euro2024

Reperi i njohur Capital T ka publikuar videoklipin në mbështetje të kombëtares shqiptare në Europianin e Gjermanisë. Flitej prej një kohe të gjatë që Capital T po bashkëpunonte me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për të përgatitur diçka speciale në vigjilje të europianit.

“Albania” titullohet kënga, ndërsa në tekst përmendet edhe Dardania (Kosova). Refreni i këngës është Shqipëria dhe Kosova pasi të dy vendet përbëjnë prejardhjen e lojtarëve të kombëtares (pa harruar edhe ata që vijnë nga Maqedonia e Veriut).

Kënga himn e një prej reperëve më të mirë shqiptarë do të shoqërojë kombëtaren gjatë gjithë EURO2024.

Shqipëria luan për herë të dytë në finalet e një europiani.

Pjesëmarrja e parë e kuqezinjve ishte në Euro2016, në Francë. Kombëtarja arriti të sigurojë një fitore në aventurën e parë europiane, përballë Rumanisë me golin e Armando Sadikut. Ndërsa kishte humbur me Zvicrën dhe Francën, por që rezultati nuk përkoi me lojën e zhvilluar në fushën e blertë.

Në Gjermani, Shqipëria luan ndeshjen e parë përballë Italisë në 15 qershor, në stadiumin e Dortmundit. Në grup me kuqezinjtë janë edhe Spanja me Kroacinë.

/Shqip.com