Lajme

Veteranët sot protestojnë para Kuvendit

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së sot do të protestojnë para Kuvendit të Kosovës.

Kjo u bë e ditur nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, i cili tha se protesta fillon nga ora 10:00.

Ai tha se kjo protestë do të mbahet për shkak të “diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjarëve të dëshmorëve”.

“Meqenëse të hënën me datë 06.06.2022 në ora 11:00 do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë e parë e rendit të ditës është miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale, u vendos që të kundërshtohet kjo. Në takimin me degë, u vendos që të hënën me datën 6 qershor 2022, Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, prej orës 10:00, të organizojnë protestë para Kuvendit të Kosovës kundër diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve”, ka shkruar ai në Facebook.

Këtë protestë e kanë përkrahur edhe Lëvizja për Bashkim, e cila është shprehur e bindur se këndëvështrimi i “mbrapshtë se kategoritë e dala nga lufta janë barrë për shoqërinë është antinjerëzor e antikombëtar”.

LB ka thënë se janë të bindur me drejtësinë e kësaj çështje.

“LB e bindur në drejtësinë e kësaj çështjeje, të ngritur nga OVL e UÇK-së, ka vendosur që ta mbështes protestën dhe do të marr pjesë aktive në të. Me projektligjin e Qeverisë së Kosovës, i cili do të shqyrtohet të hënën në Kuvendin e Kosovës, parashihet që të rrëzohet ligji aktual që e lidh pensionin e veteranit me pagën minimale, (edhe ashtu ka qenë pension shumë i vogël, 170 euro), pra të mos ketë rritje për këtë kategori ashtu siç parasheh projektligji për pagën minimale”, thuhet në deklaratën e LB-së.

Lexo edhe:
Lëvizja për Bashkim mbështet protestën e nesërme të veteranëve

Kjo lëvizje ka ftuar të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë protestë, pasi sipas tyre nuk duhet të lejohet që këto kategori të shndërrohen në kategori sociale.

Ndryshe, Klinaku edhe në një intervistë për Shqip.com më parë kishte paralajmëruar protesta./Shqip.com