Lajme

Vendosë SBAShK-u: Protestë më 4 dhjetor, paralajmërohet grevë në janar

Mbledhja e SBAShK-ut

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) do të protestojë më 4 dhjetor për shkak të mosmiratimit të Ligjit të Pagave.

Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së jashtëzakonshme që SBAShK mbajti me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka njoftuar se nëse Qeveria nuk reflekton, do të merren masa të tjera sindikale duke mospërjashtuar edhe grevën në janar.

“Ju lus që të bisedoni me prindërit që të jenë më 4 dhjetor me ne, me shpresën se qeveria do të reflektojë, dhe konsideroj se 4 dhjetori do të jetë alarmi i fundit për Qeverinë”.

“Opsioni i parë pas 4 dhjetorit do të jetë një protestë më masive, nëse s’ka reflektime atëherë iu njoftoj që të bëheni gati për veprimet e tjera sindikale në muajin janar”.

“Po na solli në të njëjtën pozitë orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen”, tha Jasharaj.

Jasharaj më tutje tha se Qeveria po i shton tensionet me deklarata se Ligji për Paga po punohet, ndërsa të pranishëm nuk janë sindikatat përfshirë edhe SBAShK-un.

“Kanë kërkuar nga ne dhe ne e kemi bërë detyrën tonë që të kemi takime sepse ka zëra dhe deklarime se Ligji për Paga është duke u përmirësuar por që SBAShK s’ka qenë e pranishme. Ne kemi kërkuar takim me ministrin Kurti dhe ministrin Murati që të takohen me sindikatat”.

“Duke e parë se po mungon vullneti i Qeverisë për të reflektuar ndaj kërkesës sonë për takime dhe për të biseduar për Ligjin për Paga dhe për Kontratën Kolektive ne ju kemi thirrur që edhe ju sot ta sjellni zërin tuaj. Mendoj se duhet ta respektojmë zërin e punëtorëve të arsimit, pasi që Qeveria po hesht dhe nuk po ka dialog”, përfundon Jasharaj.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, në një konfereëncë për media, tha se SBAShK duhet të tregojë durim pasi Ligji për Pagat pritet që në fund të këtij viti të miratohet.

“Adresa e SBASHK-ut me Qeverinë është përmes Ministrisë së Arsimit. Ata kanë shprehur pakënaqësi sa i përket Ligjit të pagave që ka të bëjë me të gjithë sektorët. Unë sipas informacioneve që kam, është duke u punuar në ligj dhe brenda këtij viti pritet të ketë disa rezultate. SBASHK-u duhet të tregojë durim”, tha ai./Shqip.com