Lajme

Vëllezërit rrahen mes vete në Gjykatën Themelore në Prishtinë, intervenon policia

Gjykata Themelore në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë

Një rrahje midis dy personave ka ndodhur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas një seance dëgjimore të mbajtur midis dy palëve kundërshtare në çështjen juridike të tyre.

Ky sulm fizik ka ndodhur ndërmjet dy vëllezërve, të cilët ishin propozues dhe kundër-propozues në bazën e kontestit “Propozimi për masë të sigurisë”.

Siç ka mësuar Shqip.com, pas ndërprerjes së procedurës në këtë çështje juridike midis M.Z dhe H.Z, të njëjtit kanë përdorë dhunë fizike ndaj njëri tjetrit, por se sigurimi ishte ai që ka intervenuar me shpejtësi.

Të paktën kështu thonë nga institucioni ku ndodhi incidenti midis dy familjarëve, për çka intervenuar edhe policia.

“Ka ndodhur një incident në zyrën e gjyqtarit, një gjysmë ore pasi ka përfunduar seanca dëgjimore. Në momentin e përfundimit të seancës, pra ka ndodhur një rrahje por që shumë shpejt është reaguar nga sigurimi, më pas janë njoftuar policia e më pas është marrë përsipër nga ky institucion. Kjo ka ndodhur mes dy palëve kundërshtare”, ka thëë për redaksinë, Mirlinda Gashi – zëdhënëse e Themelores në Prishtinë.

Ndërkaq, nga Policia nuk kanë dhënë informacione lidhur me këtë rast të ndodhur gjatë mesdites të së hënës.

Kjo seancë dëgjimore ka filluar nga ora 11:00, por se është ndërprerë në këtë çështje juridike deri në vendosjen e Kryetares së Gjykatës. /Shqip.com