Vela pas zgjedhjës së kryetarit të OEK-ut: Votuan për parti jo për individ

Ish-drejtori i Doganës, Lulzim Rafuna, është zgjedhur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Kurse, kundërkandiatja e tij Erëza Vela ka thënë se ky votimi i zgjedhjes së kryetarit të OEK-ut është bërë për parti dhe jo për individ.
“Arma ime në këtë garë ishte përvoja profesionale, përvoja në biznes, përvoja akademike dhe një plan super vizionar. Bizneset e OEK nuk i patën këto si kritere për me e vlerësua kryetarin e OEK-ut. Ata sot votuan parti politike, jo individ”, shkroi Vela në Facebook.
Megjithatë, Vela ka thënë se është e fokusuar që të jep më të mirën nga vetja dhe se preferon që të humbas me profesionalizëm.
“Në humbje e në fitore, unë fokusohem me e dhënë 100% tim. E preferoj me humb me profesionalizëm, nder dhe kokëlartesi, sesa me fitu me mashtrime, kontrabandime e përkrahje të taborëve politike”.

Ndryshe Rafuna ka qenë këshilltar i Bedri Hamzës sa ishte ministër i Ministrisë së Financave Punëve dhe Transferëve.
Gjithashtu, Rafuna ishte edhe ministër në detyrë kur Hamza është larguar nga pozita e ministrit.
Oda Ekonomike Kosovës (OEK), është organizatë profesionale e themeluar nga Kuvendi i Kosovës. OEK-u është organizatë profesionale e pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse. Është institucioni i vetëm i biznesit i themeluar me ligj dhe veprimtaria e OEK-ut zhvillohet mbi bazën e këtij Ligji (Ligji mbi Odën Ekonomike të Kosovës 2004/7) i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
OEK është institucion në shërbim të ekonomisë kosovare, partner konstruktiv i institucioneve shtetërore të Kosovës, partner në dialogun social si dhe promotor i zhvillimit ekonomik dhe politikave të mira makroekonomike.
Oda Ekonomike e Kosovës analizon gjendjen ekonomike të Kosovës dhe aktivisht propozon forma të reja dhe të avancuara të biznesit vendor dhe bënë ndërkombëtarizimin e ndërmarrësisë kosovare. Oda Ekonomike e Kosovës kontribuon në zhvillimin e ndërmarrjeve, po ashtu me profesionalizmin dhe vendosmërinë e saj kontribuon në përafrimin e biznesit kosovar dhe shoqërisë kosovare me vlerat evropiane.
OEK ka selinë qendrore në Prishtinë dhe njësitë rajonale në : Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan./Shqip.com