Ekonomi

Vela, Kurtishaj dhe Rafuna synojnë OEK-un, dy të fundit ishin kandidatë për deputetë të PDK-së

OEK

Më 10 korrik do të mbahen zgjedhjet për kryetar të Odës Ekonomike të Kosovës.

Erëza Vela, Ruzhdi Kurtishaj e Lulzim Rafuna janë zyrtarisht kandidatë që synojnë të drejtojnë OEK-un.

Rafuna e Kurtishaj kanë konfirmuar për Shqip.com kandidaturën.

Kurtishaj tha për Shqip.com se beson se pas 10 korrikut do ta fiton ulësen kryesore në OEK.

“Besoj fuqishëm në fitoren time të pakontestueshme sepse nuk vi nga politika por nga biznesi”, u shpreh ai.

Kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Ruzhdi Kurishaj

Ndërkaq, Rafuna shkurt e konfirmoi kandidaturën e tij.

Theksojmë se kandidatët Rafuna e Kurtishaj në 2019-të kanë qenë kandidatë për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Asnjëri prej tyre nuk kishin marrë votat e mjaftueshme.

Lulzim Rafuna ka qenë ish-drejtor i Doganës së Kosovës dhe këshilltar i ish-ministrit të Financave, Bedri Hamza dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Lulzim Rafuna

Ndërsa, Kurtishaj është kryetar i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve.

Në anën tjetër, Vela përmes një postimi në Facebook shprehet e bindur se do t’i mposhtë kundërkandidatët e saj.

Erëza Vela

“Me shumicën dërrmuese (përveç me nja dy gazetare 🤣) jemi dakorduar që është shansa e fundit për me e shpëtu OEK nga degradimi dhe shuarja totale, dhe, me modesti po e them, kam marrë përkrahjen dhe pohimin që nga 3 kandidatët qe jemi në gareë, jam unë e vetmja që mundem me e bë këtë”, ka shkruar ajo.

Vela është një afariste dhe ka qenë drejtuese e emisionit “Ekonomia me Erëzën”.

Në katë vitet e fundit, këtë pozitë e kishte mbajtur Berat Rukiqi, i cili ishte zgjedhur kryetar në muajin korrik 2018.

Para tij kanë qenë Safet Gërxhaliu e Besim Beqaj./Shqip.com