Sport Shqiptar

​Vdiq Muhamet Alaj, kontribuuesi i madh i hendbollit kosovar

Muhamet Alaj
Muhamet Alaj

Hendbolli kosovar ka mbetur pa një personalitet shumë të rëndësishëm. Të mërkurën (28.02.2024) ka ndërruar jetë profesor Muhamet Alaj, sinonim i hendbollit në Deçan dhe kontribuues shumë i madh i hendbollit kosovar në përgjithësi.

Profesori Alaj ka vdekur në moshën 83-vjeçare, pas një sëmundje të shkurtër”, ka bërë të ditur Federata e Hendbollit të Kosovës.

Ai ka lënë vepër të jashtëzakonshme për hendbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi, por edhe sa i takon arsimit të brezave dhe dokumentimit të historisë sportive.

Ishte hendbollist i dalluar në klubin Normalisti e më pas për shumë dekada kontribuues në pozita e poste të ndryshme në sportin e hendbollit. Ka bërë të mundur që Deçani të jetë qendër e rëndësishme e hendbollit në Kosovë, falë punës së tij plot përkushtim e pasion. Nga hendbolli nuk është ndarë deri në fund të jetës, ndërsa vepra që ka lënë do të mundësoi që të kujtohet gjithnjë me respektin maksimal”, thuhet tutje në njoftimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Profesor Alaj është nderuar nga Federata e Hendbollit të Kosovës me Mirënjohje për Vepër Jetësore. Ishte selektor i Kosovës në vitet 1980-ta. Ka qenë anëtar i Bordit të FHK-së në disa mandate, ndërsa ka dhënë kontribut të çmuar edhe në pavarësimin e hendbollit kosovar.

Shumë lojtarë janë zbuluar nga profesori Alaj, që ka jetuar me hendbollin e për hendbollin.

/Shqip.com