Lajme

Varrezat masive me shqiptarë në Serbi, pa epilog gjyqësor

Personat e zhdukur ne luften e fundit

Me urdhër të prokurorisë serbe po bëhet gërmimi i lokacioneve të dyshuara për varreza masive, por pa epilog gjyqësor.

Drejtoresha ekzekutive e Fondit për të drejtën humanitare ne Serbi, Ivana Zhaniq ka thënë se në lidhje me varrezat masive nuk ka ende ndonjë reagim nga prokuroria si dhe nuk ka pasur reagim as kur u zbulua varreza masive në Batajnicë.

“Nuk reagohet në formë të aktakuzës ndaj përgjegjës për vrasjen e atyre personave, apo atyre që kanë marrë pjesë në fshehjen e kufomave në territorin e Serbisë. Momenti i rëndësishme kur u desh të reagohej, me hetime dhe me akuza, ishte pas zbulimit të varrezën masive në Batajnicë”, tha Zhaniq.

Sipas Zhaniq, edhe pse prokuroria për krime lufte e miraton gërmimin e varrezave masive, pa ndonjë epilog gjyqësor e vërteta e plotë nuk do të zbulohet.

“Do të ishte mirë që prokuroria të ndryshon qasjen e saj. Përveç identifikimit dhe dorëzimit të trupave tek familjaret, të arrihet drejtësia penale, si janë vrarë këta persona, kush është përgjegjës, por edhe kush është përgjegjës për varrosjen e tyre në varrezat masive në Serbi për 20 vjet”, tha ajo.

Kurse, kryetari i Komisionit te Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur,  Velko Odalloviq ka thënë se  gërmimet ne te gjitha lokacione te dyshuara po kryhen me urdhër të Prokurorisë Serbe për Krime Lufte, dhe ne baze te kërkesave te Prishtinës. Sipas tij, pas zbulimin e mbetjeve mortore, ato identifikohen dhe më pas u dorëzohen familjarëve.

Ai ka thënë se 917 trupa janë gjetur në varreza masive në lokacione të ndryshme në Serbi.

Gjithashtu ai tha se nuk ka mbetur asnjë kërkesë e delegacionit të Prishtinës pa u shqyrtuar nga ata.

“Deri më tani, 917 trupa janë gjetur në varreza masive në Batajnicë, Petrovo Sello, Peruqac, Rudnica dhe Kizhevak, të cilat të gjitha janë identifikuar dhe dorëzuar familjeve. Janë kontrolluar edhe dhjetëra lokacione të tjera si varreza masive të mundshme dhe në këtë moment nuk kemi më asnjë kërkesë nga delegacioni i Prishtinës për të cilat nuk kemi vepruar, përfshirë Shtaval si lokacion të fundit”, tha Odalloviq për RTK.

Odalloviq deklaroi se nuk janë penguar nga askush që ka juridiksion në këtë drejtim që të bëjnë kontrolle të tilla.

“Asnjë organ kompetent në Serbi, prokuroria, policia, Ministria e Drejtësisë, kushdo që ka juridiksion në këtë drejtim, nuk na ka penguar me asnjë veprim që të bëjmë kontrolle të tilla. Ne patëm mbështetjen për këtë problem kaq humanitar dhe shumë të ndjeshëm”, tha Odalloviq.

Sipas Odalloviqii, dhe pala serbe ka kërkesa për Prishtinën zyrtare që të hulumtohen nëntë lokacione në Kosovë.

“Beogradi ka kërkesat ndaj Prishtinës. Pala serbe i ka dorëzuar palës kosovare kërkesat për të kontrolluar nëntë lokacione ne Kosove, tha ai duke shtuar se “ato kërkesat janë akoma në tryezë në Prishtinë për më shumë se një vit” tha ai.

Në të dhënat e fundit janë edhe 1620 persona në Kosovë të cilët konsiderohen të zhdukur. Ndërsa, së fundi presidenti i Serbise Alleksandar Vuçiq duke folur ne GLOBSEC forum ne Bratisllavë, tha se beson se të dyja palët nuk janë larg nga mundësia e arritjes së marrëveshjes për personat e zhdukur dhe energjinë./SHQIP.com