Ekonomi

Varfërohet shporta e konsumatorit – rritet çmimi i makaronave, jogurtit dhe kafes

Market

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar një raport ku tregon lëvizjen e çmimeve të artikujve bazë në pesë ditët e fundit.

Të dhënat e nxjerra janë nga data 21 deri më 25 shtator.

Rritje të çmimit vërehet të kenë tek makaronat, jogurti dhe kafeja.

Sipas raportit, makaronat ishin 0.89 euro, tani janë 0.94 euro. Jogurti ishte 1.31 euro, sot është 1.34 euro. Kafe e bluar, 500 gram ishte 6.33, sot është 6.54 euro.

Raporti nga Agjencia e Statistikave të Kosovës

Kurse, orizi ka shënuar rënie të çmimit për 7 cent.

“Orizi më datën 21 shtator ishte 1.33 euro, sot ai kushton 1.26 euro”.

Lëvizje të çmimeve ka edhe në derivatet e naftës e cila ishte 1.58 euro litra kurse sot kushton 1.60 euro, ndërsa benzina ishte 1.35, sot është 1.34.

Sipas përditësimit të Bankës Botërore për sigurinë ushqimore “Food Security”, nga prilli deri në korrik 2022, inflacioni i lartë në produkte ushqimore vazhdon në pothuajse të gjitha vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Normat e inflacionit kanë tejkaluar 5% në 92.9% të vendeve me të ardhura të ulëta, 92.7% të vendeve me të ardhura të ulëta të mesme dhe 89% të vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Sipas Bankës Botërore rritja ekonomike e Kosovës do të jetë 3,9%, ndërsa sipas FMN-së, Kosova do të ketë rritje prej 2,9% gjatë vitit 2022.

E pritshmëri më të larta ka Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) duke projektuar rritje ekonomike prej 4,0% gjatë 2022./Shqip.com