Lajme

Valbon Krasniqi jep dorëheqje nga pozita e drejtorit të SHSKUK-së

Drejtori i Shërbimit Spitalor, Valbon Krasniqi

Bordi i Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar ka miratuar kërkesën për dorëheqje të drejtorit të përgjithshëm Valbon Krasniqit.

Përmes një komunikate për media të SHSKUK-së, thuhet se bordi drejtues ka vlerësuar kontributin e Krasniqit.

“Ju njoftojmë se Bordi Drejtues i SHKUK-së, në mbledhjen e mbajtur me datë 02.08.2022 ka miratuar dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Dr. Valbon Krasniqi. Bordi Drejtues i SHSKUK-së me këtë rast duke vlerësuar kontributin e deritanishëm të Dr. Krasniqit e falënderon për bashkëpunimin e treguar”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, si ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm është emëruar Pranvera Zejnullahu Raçi.

Krasniqi ishte emëruar në krye të këtij shërbimi më 10 shkurt të vitit 2021, pasi kishte shërbyer si ushtrues detyre i drejtorit të SHSKUK-së, pas largimit të Basri Sejdiut nga kjo pozitë.

Lexo edhe:
Haxhiu: Jo veç Valbon Krasniqi por krejt Bordi i SHSKUK-së duhet të shkarkohet

Në raportin e Auditorit për vitin 2021 ishin evidentuar katërmbëdhjetë shkelje.

Prej tyre prijnë shkeljet e identifikuara në tenderë. Po ashtu, u keqmenaxhua edhe me “Shërbimet funerale për të vdekurit me COVID-19”.

“Në procedurën e prokurimit ‘Shërbime funerali COVID 19’, në vlerë 158 mijë euro, kemi vërejtur se dy nga nëntë kompanitë që kishin ofertuar janë palë të ndërlidhura. Bazuar në dokumentacionin e ofertuar, kemi parë që pronari i kompanisë ‘Ngushëllimi’ ka aksione edhe në kompaninë ‘Funerali’ dhe po ashtu i njëjti mban pozitën e drejtorit menaxhues në të dyja kompanitë. Me gjithë këtë, SHSKUK-ja ka shpërblyer me kontratë kompaninë ‘Funerali’, e cila sipas kërkesave ligjore do të duhej të vlerësohej si e papërgjegjshme”, thuhet në raport.

Shkelje janë gjetur edhe tek pranimi i mallit, në njërën prej tyre është kontrata me pagesa deri në rreth 8 milionë euro.

“Nga testimi i pagesave kemi vërejtur se në 61 raste, në vlerë prej 7. 864. 454 eurosh, edhe pse kishte raport të pranimit nga komisioni i pranimit të mallit, mungonte raporti i pranimit të mallit, i përgatitur nga menaxherët e kontratave”, shkruhet në raport.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu në një përgjigje për Shqip.com tha se për shkak të keqmenaxhimit duhet të shkarkohet Bordi dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi./Shqip.com