Vajza e tij ndërroi jetë në aksident, Vangjel Tavo: Asgjë s’e zhbën humbjen e madhe të familjes sonë – na u bëtë krah!

Ish-deputeti dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo ka bërë reagimin e parë pasi vajza e tij ndërroi jetë nga një aksident automobilistik në Maqedoninë e Veriut muajin e kaluar.
Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Tavo shprehu mirënjohje për miqtë dhe dashamirësit, të cilët i ofruan mbështetje për ditët e vështira.
“Të nderuar të afërm, miq, e dashamirës,
Asgjë nuk e zhbën humbjen e madhe të familjes sonë, por mbështetja juaj tejet njerëzore dhe e pakufi ka qenë ngushëllim i rëndësishëm e domethënës për të gjithë ne.
Shprehim mirënjohjen e thellë për gjithësecilin prej jush për respektin që treguat, duke e vlerësuar tej mase që erdhët nga të gjitha qytetet e vendit, si edhe nga shumë shtete jashtë kufijve, për të na u gjendur pranë e duke na u bërë krah.
I shprehim mirënjohjen edhe të gjitha autoriteteve dhe instancave zyrtare, të cilat u angazhuan maksimalisht për të na asistuar në çdo nevojë.
Nuk urojmë kurrë që t’jua shpërblejmë mirënjohjen në të tilla rrethana, por vetëm në të mira e gëzime për ju dhe familjen tuaj! Me përulje, mirënjohje dhe respekt të thellë për të gjithë ju. Vangjel Tavo dhe Familja!”, shkruan Tavo.

Eva Tavo, vetëm 24 vjeç, humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në Maqedoninë e Veriut në 28 nëntor. E reja ishte pasagjerë në një automjet tip ‘Audi’ që po udhëtonte nga Tetova drejt Shkupit.
Sipas policisë mjeti me targa shqiptare, drejtohej nga 40-vjeçari me inicialet V.M., doli nga autostrada “Nënë Tereza”, në fshatin Laskarci, në orën 14:00, dhe u përmbys.
Për pasojë vajza e Tavos humbi jetën në vend, ndërsa shoferi është dëmtuar rëndë dhe ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.
“Me datë 28.11.2023, në ora 14:00 në SPB-Shkup është raportuar se në autostradën “Nënë Tereza” në drejtim nga Tetova për në Shkup, në rajonin e fshatit Llaskarcë, automjeti i pasagjerëve “Audi” me targa të Shqipërisë, që po drejtohej nga shtetasi shqiptar V. M. (40), ka dalë nga rruga. Nga plagët e marra në aksident, pasagjerja E.T.(24) nga Republika e Shqipërisë ka ndërruar jetë në vend, ndërsa mjeku i Emergjencave Mjekësore ka konstatuar vdekjen e saj. Ndërsa, i plagosur rëndë ka mbetur shoferi V.M.” – thuhej në njoftimin e ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut
Eva Tavo ishte vajza e madhe e ish-deputetit, mamaja e së cilës vite më parë kishte ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë.
/Shqip.com