Lajme

Ushtria ukrainase raporton luftime të rënda në betejën për Severodonetsk

Lufta intensive e Rusisë për kontrollin e qytetit lindor të Ukrainës, Severodonetsk, po vazhdon duke përdorur artileri, avionë dhe helikopterë në zonë, sipas Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Dy persona u plagosën pasi forcat ruse bombarduan një kolegj minierash në Lysychansk, i cili ndodhet në një terren strategjik të lartë përtej lumit Siverskyi Donets nga Severodonetsk, sipas Serhiy Hayday, kreu i Administratës Ushtarake të Rajonit Luhansk, shkruan CNN.

Hayday tha se Rusia po përdorte “grupe sabotazhi dhe zbulimi” në fshatin Bilohorivka, në perëndim të Lysychansk dhe Severodonetsk.

Në periferi të Severodonetsk, ushtria ukrainase tha se Rusia po përdorte “minim në distancë të zonës në drejtim të ofensivës së trupave tona drejt Rubizhne”.

Rodion Miroshnik, një zyrtar në Republikën e vetëshpallur separatiste të Luhanskut, pohoi në Telegram se nëntë civilë ishin vrarë nga bombardimet ukrainase gjatë ditës së kaluar.

Të hënën mbrëma, Oleksandr Striuk, kreu i administratës ushtarake të Severodonetsk, tha se kishte “beteja të ashpra dhe luftime në rrugë” dhe situata “po ndryshonte çdo orë”.

Ushtria ukrainase tha se Rusia po i përqendronte përpjekjet e saj në lëvizjen në jug nga Izyum drejt Slovianskut, ku vija e frontit nuk ka lëvizur shumë, pavarësisht shumë javësh luftimesh intensive.

Në rajonin jugor të Zaporizhzhia, autoritetet thanë se luftimet vazhdojnë përgjatë gjithë linjës së kontaktit, por u ul disi në intensitet të martën.

Në rajonin e Khersonit, ushtria ukrainase tha se Rusia “po përqendronte përpjekjet e saj kryesore në përmirësimin e pozicionit të saj taktik, ruajtjen e kufijve të pushtuar, rimbushjen e municioneve dhe karburantit”.

Dhe në rajonin verior Sumy, autoritetet thanë se forcat ruse granatuan qytetin kufitar Seredyna-Buda herët në mëngjes të martën.

Të paktën gjashtë shtëpi dhe një ndërtesë ferme u dëmtuan, por nuk raportohet për viktima.