Ushtria ruse futet në Ukrainë nën petkun e paqeruajtësve

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njohur dy rajonet separatiste në lindje të Ukrainës – Donetskun dhe Luhanskun – si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar ushtrinë që të futet në territorin e tyre – praktikisht në territorin e Ukrainës – në atë që Moska zyrtare e ka quajtur “mision paqeruajtës”.
Bota Perëndimore ka alarmuar se ky veprim i Putinit mund të nënkuptojë fillimin e një lufte të madhe, shkruan Reuters.
Putin i ka thënë ministrit rus të mbrojtjes që të zhvendosë trupa në dy këto rajone menjëherë pasi ka njoftuar se Rusia i njeh dhe i mbështet separatistët.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet evropiane kanë njoftuar për sanksione të reja dhe të menjëhershme.

Nuk është bërë ende e qartë madhësia e trupave ruse që do të futet në Ukrainë dhe çfarë saktësisht do të jetë misioni i tyre.
Në një adresim të gjatë në televizion para popullit rus, Putin është dukur i nervozuar dhe i ashpër, duke e përshkruar Ukrainën si pjesë të Rusisë dhe ka thënë se pjesa lindore e Ukrainës aktuale është tokë e të parëve të Rusisë dhe ka shtuar se ka besim të madh që populli rus do ta mbështet vendimin e tij.
Duke shkuar kundër paralajmërimeve të perëndimit, Putin i ka njoftuar për veprimin e tij përmes telefonit, liderët e Francës dhe Gjermanisë, të cilët kanë shprehur dëshpërimin e tyre, thuhet në një komunikatë të lëshuar më herët nga Kremlini zyrtar.
Veprimi i Moskës mund ta përshpejtojë një samit për të cilin veç flitej edhe më herët mes presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij rus Putin, për ta parandaluar luftën në Ukrainë.
Në anën tjetër rubla ruse menjëherë ka filluar të humbë vlerën në raport me dollarin amerikan./Shqip.com