OP-ED Kolumne

Unë e di kush janë vrasësit e Oliver Ivanoviqit

Oliver Ivanoviq.
Negovan Velkoviq
Negovan Velkoviq

Publikuar:

Këtë rrëfim do ta them ashtu siç është, pa lajthitje dhe pa fabula.

Pas kohës së kaluar në institucionin korrektues “Zabela” në Pozharevc, dola në zero, pa para, pa punë dhe thjesht pa asgjë. Aty ishte i ndjeri Oliver Ivanoviq dhe më ofroi gjithçka, nga puna e rroga e mirë deri te gjithçka e nevojshme për jetën.

Disi, pas daljes nga burgu, u anëtarësova në POKS (Lëvizja për Ripërtëritjen e Mbretërisë së Serbisë), në të cilën jam edhe sot pjesëtar aktiv, që do të thotë se u përfshiva menjëherë në politikë. I ndjeri Oliver nuk ka qenë përkrahës i monarkisë, por më ka përkrahur që të afirmohem në ujërat politike, ndër të tjera më ka njohur me njerëz të shumtë nga politika kosovare, dhe në atë mënyrë më ka shtyrë në botën e politikës.

E thënë thjesht, me ndihmën e Oliverit fitova një pozicion në politikën e Kosovës dhe kisha vëmendjen e plotë të “përfaqësuesve shqiptarë të Institucioneve të Përkohshme të Prishtinës”. I ndjeri Oliver dhe unë punuam për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, të paktën po aq sa ishte e mundur. E vërteta është se disave nuk u pëlqente, por shumicës po, pasi shumë serbë dhe shqiptarë ishin ngopur me konflikte.

Me gjithë përpjekjet dhe mundin që investuam, problemin më të madh e krijoi Lista Serbe e Goran Rakiqit, ish-zjarrfikës, i cili dinte të shkatërronte gjithçka që do të kontribuonte në stabilizimin e marrëdhënieve mes të dyja palëve.

Natyrisht, me nxitjet e (Zvonko) Veselinoviqit, (Milan) Radojçiqit e (presidentit të Serbisë Aleksandar) Vuçiqit, Rakiqit gjithmonë i shkon për dore të bëhet provokues, e gjithë kjo për shkak të biznesit të pistë në kuadër të kornizës kriminogjene, sepse është më së miri të punohet nën ekranin e politikës. Sinqerisht, jo vetëm kaq, ata kishin edhe interesa të tjera për destabilizim, gjë që e dëshmojnë dokumentet e shumta që kam në USB, laptop e dokumente.

Përfshirja e Aleksandar Vuçiqit

Përfshirja e Aleksandar Vuçiqit dhe e vëllait të tij Andrejit, si dhe e Zvonko Veselinoviqit e Milan Radojçiqit në këto ngjarje kriminale në Kosovë, shitja e armëve serbe për UÇK-në nën kujdesin e politikanëve shqiptarë dhe vrasja e Oliver Ivanoviqit janë një krim i rëndë.

U përpoqa disa herë t’jua dërgoja një letër, por kjo nuk funksionoi për shkak të censurës së burgut.

Ftova opozitën serbe të bashkohet me mua dhe të më mbrojë publikisht nga tirani (Vuçiqi v.j.) dhe nga kriminelët e tij. Dhe publikisht po u them Vuçiqit dhe të tjerëve rreth tij: Zotërinj, edukimi shpirtëror dhe arsyeja moderne prodhojnë te njeriu këtë kundërshtim që e bën atë amfib. Në shumë mënyra ka kontradikta që nuk janë shpikur nga zgjuarsia, reflektimi dhe kuptimi shkollor i filozofisë. Është e qartë se kemi mendime dhe qëndrime mosbesimi, kontradiktore, ndaj ato gjithmonë i kanë interesuar dhe e kanë trazuar botën njerëzore në forma të ndryshme.

Edhe pse arsimi modern ka performuar me nder dhe ua ka dhënë atyre formën e kontradiktave më të mprehta dhe më të larta, amfibi i përmendur tani duhet të jetojë në dy botë që takohen në kundërshtim me njëra-tjetrën, kështu që tani besimi te presidenti i Republikës së Serbisë endet në atë kontradiktë atje – këtu, të hedhë nga njëra anë te tjetra dhe njeriu nuk po arrin të gjejë qetësi për vete, por merret me peshimin e realitetit.

Nga njëra anë ne shohim njeriun të ngatërruar në realitetin e përditshëm dhe të dëshpëruar nga nevojat e problemet, të torturuar nga natyra, të ngatërruar në çështje të imponuara dhe duke luftuar për të provuar pafajësinë e tij, ndërsa ju autorët e vërtetë të vrasjes keni qëllimet tuaja dhe i shijoni ato, gjë që është bërë e mundur për ju në një sërë mënyrash.

Nga ana tjetër, njeriu ngrihet, vjen në prova të rëndësishme dhe fillon t’i shohë pasojat e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

I gjithë materiali është me mua dhe do të qëndrojë jashtë mundësive tuaja, dhe kjo është arsyeja pse. “Qenia përcakton ndërgjegjen dhe formon karakterin njerëzor”. “Virtyti dhe mëkati nuk janë pasojë e vetëdijes së lindur, por pasojë e rrethanave…”. “Instinktet dhe trashëgimia vështirë se ekzistojnë dhe në çdo rast nuk luajnë një rol vendimtar në formim të njeriut”. “Gjërat duhet t’u përkasin atyre në duart e të cilëve janë më produktive”.

“Ka njerëz që sa më shumë i njoh, aq më të vegjël duken dhe koha që kam kaluar me ta humb”, mendova për një çast. Ju zotërinj nga pushteti keni filluar dhe mua më mbetet ta përfundoj. Do të trokas në çdo derë dhe do të shikoj në sy të gjithë të përfshirët në vrasjen e Oliverit.

Ardhja e ekzekutorit nga Sllovenia, akomodimi dhe ndihma që mori nga serbët

Me besimin në Zot dhe në besnikërinë e miqve.

Në këtë drejtim, duke qenë se kemi punuar me këmbëngulje, gjithnjë e më shumë kemi hasur në dëshmi të rëndësishme dhe vendimtare të krimit të organizuar në veri të Kosovës dhe në Kosovë në përgjithësi.

E di që disa e ftuan Oliverin për bisedime, për ta bindur që t’i bashkohej tiranisë së Vuçiqit, të cilën gjë Oliveri e refuzoi me neveri, ndaj dërguan njerëz të ndryshëm për ta bindur. Aleksandar Shapiq ishte i fundit që foli me të.

Se Oliveri u pengonte dhe se po përgatiteshin ta likuidonin kjo dihej qysh në fillim të vitit 2017, ndaj u vonua (vrasja v.j.) për arsye të veçanta. Unë do t’i shpjegoj disa: Disa nga pengjet e Vuçiqit mendonin se do ta blinin Oliverin, dhe kështu do t’ia mbyllnin gojën. Dhe kur them ta blinin, Oliveri shpesh shkonte në gjykatë për diçka që ne të gjithë e dinim mirë, e ata u përpoqën t’i jepnin pafajësi. Sigurisht që Oliveri nuk e pranoi këtë, pasi e dinte se nuk ishte fajtor.

I frikësoheshin Oliverit, pasi i kishte në duar për shumë punë të pista, duke nisur nga kamionët që u sekuestruan, deri në shitjen e armëve serbe në Emiratet e Bashkuara Arabe përmes Kosovës. Në shitjen e armëve kanë pasur shumë hise edhe politikanët shqiptarë: Ramush Haradinaj, mik i madh i Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojiçiqit, pastaj Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por u trembën kur Oliveri u takua me Martti Ahtisaarin në Tiranë, sepse mendonin se Oliveri po i dorëzonte ata te lojtarët seriozë, kështu që shpejt filluan të mendonin për likuidimin.

Për të qenë gjithçka interesante, në likuidim është përfshirë edhe komandanti i Policisë për pjesën veriore të Kosovës, i cili tani është në arrati, z. (Zhelko) Bojiq, pastaj Sërxhan Vuleviq i quajtur Gene nga Lashko, i cili e ka pritur ekzekutorin nga Sllovenia, që ka ardhur me të dashurën dhe është vendosur në hotelin “Otkan”, ku gjatë kohës së qëndrimit janë shëtitur me xhipin e Genes, e ku ishin prezentë edhe njerëzit e Veljes, të dërguar nga Veselinoviqi, e kështu janë përfshirë edhe Basara, Spasojeviq dhe Roshiq, të cilët me vetura të policisë i kanë shoqëruar likuidatorët dhe i kanë nxjerrë nga Kosova përmes (pikës kufitare v.j.) Jarinjës me sukses.

Për të mos u larguar nga tema, do të vazhdoj sipas radhës. Sulmi i parë i rëndë ndaj Oliverit duhej të ndodhte diku në mars të 2017-s, por pasi morëm informacionin me kohë arritëm ta shmangnim dhe unë në disa raste e kam kontaktuar njëfarë “Drazhe” nga Piroti, i cili në atë kohë ishte pjesëtar aktiv i një strukture të fortë policore, por nuk pati asnjë ndihmë prej tij.

Për të qenë gjithçka interesante, gjithmonë merrnim informacione nga shqiptarët, ndërsa njerëzit tanë heshtnin.

Të themi të vërtetën, Oliveri e dinte saktësisht se kush ia punonte, për çka foli publikisht në TV Al-Jazeera dhe në RTK, për çka ekzistojnë regjistrimet në ato televizione.

Pas arrestimit më dërguan në njësinë e paraburgimit në Prokuple, ku kalova pesë muaj, prej nga më transferuan në Nish, por gjatë qëndrimit atje pata vizita të shumta nga anëtarë të BIA-s, të Sigurimit Ushtarak dhe të UKP-së, për çka mund të dëshmojë edhe avokati im në atë kohë, z. Ivica Pavloviq nga Bllaca, kështu që për të më thyer dhe për të më heshtur kanë ardhur te ideja që të m’i kurdisin disa vjedhje në Merdar e në disa fshatra të tjera, ku të gjithë të dëmtuarit janë policë.

Pastaj ma vunë një krim në Dimitrovgrad, ku përsëri u dëmtua inspektorja në pikën kufitare të Gradinës, Dushica Ivanov, e tani një krim i ri ku u dëmtua një gjyqtare e Gjykatës Themelore në Vranjë, e tani avokate, Marija Janiçijeviq.

Me të mbërritur në Burgun e Nishit kam pasur shumë vizita nga të njëjtat shërbime. Kërcënonin e shantazhonin. Më dërgonin njerëz (të dënuar) me mjete të mprehta, e më pas më transferuan në Leskovc, ku jam edhe tash, në një dhomë nën vëzhgim të kamerave 24 orë.

Nga ana tjetër, shqiptarët nga Kosova më ofrojnë mijëra euro, status dhe pozitë në këmbim të dorëzimit të materialit dhe që ai të mos largohet nga Kosova.

Pyetja themelore është, pse kanë frikë nga e vërteta!

Gjatë gjithë vitit 2017, Oliveri ka pasur disa vështirësi në zbatimin e planit programor të partisë së tij, sepse ai sabotohej rregullisht nga Vuçiqët.

Në përgjithësi, ata kishin frikë nga Oliveri, sepse ai dinte shumë për aktivitetet e pista në territorin e Kosovës dhe për vetë lidhjen mes Beogradit e Prishtinës. Për gjithçka që u tha deri më tash, do të jap një pamje më të detajuar: Zotërinj: “Unë e kuptoj kujdesin tuaj, e kuptoj gjithë maturinë tuaj dhe nuk do t’ju komprometoj përballë të fuqishmëve, duke ju detyruar të deklaroheni për gjëra kaq të rëndësishme”. Unë jam autori i këtyre rreshtave dhe qëndroj pas tyre me përgjegjësi. Përfaqësuesit e popullit serb, të zgjedhur në mënyrë legjitime në zgjedhje, janë në Qeveri.

Zotërinj, kjo është fjalë e madhe në Serbi. Diku tjetër do të thuhej ligji; tek ne quhet pushteti. Vërtet, ai pushteti nuk është pushteti i këshillave të kishës, as pushteti i baballarëve të kishës, aq më pak popujsh, por fuqia e policisë dhe e tiranisë….. Drejtësi, barazi! Janë thjesht fjalë boshe që na mashtrojnë! Kudo që i kthej sytë, shoh vetëm një krim triumfues dhe një pafajësi të shtypur…”.

O ju ligjvënësit, të emëruar nga kryetarët e Qarkut, parandalojeni këtë të keqe (tirani) të një qeverie të ligë, bëni ligje për grabitje etj., ose pengoni të jetojë mbarë bota! Me ndihmën e privilegjeve të mëdha dhe shoqatave të forta, toka i plaçkitet bujkut dhe puna mjeshtrit; dhe liria për këdo që mendon ndryshe. Nxitoni, sepse korrupsioni, si dhe industria pushtojnë gjithçka në fshat dhe në qytet, i ndjekin të gjithë nga kudo për gjithçka dhe gjithçka; pse hezitoni!

Në vend që Qeveria të kërkojë të zgjidhë çështjen e Kosovës, t’u sigurojë njerëzve një të ardhme më të mirë, e njëjta qeveri po vret disidentët e saj. Fatkeqësisht, Oliveri u vra më 16 janar 2018 dhe unë u arrestova më 22 janar 2018 në Merdar, si i vetmi dëshmitar i vërtetë i gjithçkasë që ndodhi rreth Oliverit gjatë gjithë vitit 2017 dhe janarit të vitit 2018.

Ndaj po e sjell të vërtetën lakuriq për publikun dhe ftoj të gjithë ata që duan dhe guxojnë të bashkohen me mua për të ndjekur drejtësinë deri në fund.

Të nderuar zotërinj, publikisht po them se materiali i përmendur është tek unë. Me gjithë torturat që po i përjetoj nga shkatërrimi financiar (jam në humbje mbi 400.000 euro), tentim vrasjet (dy herë) në Burgun e Nishit dhe ku jam tash në Leskovc, jam gati të shkoj deri në fund.

Përktheu: Visar Loci