Lajme

U mor në pyetje nga SPAK, lirohet pas 10 orësh gazetari Elton Qyno: Presione që të tregoja burimin

Gazetari i Ora News, Elton Qyno është liruar pas 10 orësh marrje në pyetje nga prokurori i posaçëm Behar Dibra në ambientet e SPAK.

Pasi ka mbërritur në banesën e tij, ku prokurorët kishin ushtruar edhe një kontroll, Qyno ka folur lidhur me atë se çfarë kërkonin hetuesit ndaj tij.

Gazetari u shpreh se janë bërë edhe presione për të treguar burimin e informacioneve. Gazetari Qyno u shpreh se i është njoftuar se ka një vendim të gjykatës për t’i kontrolluar shtëpinë, zyrën dhe makinën.

“Më komunikuan urdhrin e gjykatës për të kontrolluar shtëpinë, zyrën dhe makinën. Kam dalë nga SPAK në orën 17.00. Nuk e di pse duhet të ishte bërë e gjithë kjo kur mund të nxirrnin një urdhërndalimi për publikimin e akteve të mëtejshme. Më thanë do të të marrim një deklarim. Kishte presione për të treguar burimin. Kur unë nuk e bëra një gjë të tillë u procedua me kontroll banese”, u shpreh gazetari pasi mbërriti në banesën e tij.

Qyno shprehet se është mbajtur në SPAK nga mëngjesi i të mërkurës e deri në orën 17:00.

Lexo edhe:
SPAK merr në pyetje gazetarin Elton Qyno, i kërkohet të tregojnë burimin e informacionit – kontroll edhe në banesë

/Shqip.com