Lajme

“U mbajt e fshehtë vdekja e turistes në Palasë”/ Policia reagon pas postimeve në rrjet: 33-vjeçarja gjermane pësoi arrest kardiak. Vepruam sipas ligjit

Screenshot

Policia e Vlorës ka reaguar pas lajmeve se vdekja e një turisteje në Palasë ishte mbajtur e fshehtë. Në deklaratën e Policisë sqarohet se turistja 33-vjeçare M.S, nga Gjermania ishte dërguar mesditën e 30 korrikut 2026 në ambientet e Qendrës Shëndetësore të Palasës. Asaj i ishte dhënë ndihma e parë mjekësore, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve e reja kishte ndërruar jetë.

Policia sqaron gjithashtu se ka kryer të gjitha veprimet në përputhje me procedurat standarde dhe legjislacionin në fuqi.

Reagimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë:

Nisur nga një lajm i publikuar në media në lidhje me humbjen e jetës së një shtetaseje të huaj në Palasë, sqarojmë opinionin publik se:

Rreth orës 11:45, të datës 30.07.2026, Stacioni i Policisë Dhërmi u njoftua nga Qendra Shëndetësore e Palasës se në ambientet e saj ishte dërguar shtetasja gjermane M. S., 33 vjeçe, e cila kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe, pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore, humbi jetën.

Nga veprimet e kryera paraprakisht, dyshohet se bëhet fjalë për vdekje natyrale, pasi shtetasja gjermane dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë.

Pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë kompetente për veprime të mëtejshme.

Në lidhje me këtë rast, nga ana e Policisë janë kryer të gjitha veprimet në përputhje me procedurat standarde të punës dhe legjislacionin në fuqi.

/Shqip.com