Lajme

Turqia merr drejtimin e KFOR-it në Kosovë!

Nga sot trupat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë do të udhëhiqen nga Turqia. Ndërrimi i komandës së KFOR-it mes Angelo Michele Ristuccia dhe Özkan Ulutaş u zhvillua në orën 11:00, përmes një ceremonie që u mbajt Camp Film City. Është hera e parë që ky mision i NATO-s drejtohet nga një përfaqësues i Turqisë.

Turqia merr komandën e KFOR-it në një kohë kritike pas agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, ku si pasojë të dielën e 24 shtatorit humbi jetën rreshteri policor Afrim Bunjaku ndërsa u plagosën dy të tjerë.

Duke llogaritur komandantin në largim të KFOR-it, italianin Angelo Michele Ristuccia, në 24 vitet e fundit, në këtë pozitë kanë ndryshuar 27 komandantë dhe asnjëri prej tyre nuk ishte nga Turqia. Ulutaş merr detyrën në një kohë kur kontingjenti i ushtarëve turq brenda KFOR-it është i dyti më i madh. Aktualisht në këtë mision janë 4511 ushtarë, shumica nga Italia – 852, pasuar nga Turqia me 780 dhe SHBA me 679.

Marrja e drejtimit të KFOR në Kosovë nga Turqia nuk është pritur mirë nga Beogradi. Serbia akuzon Turqinë se ka armatosur Kosovën me dronët Bajraktar të cilët mbërritën gjatë verës.

Sipas mediave serbe, Prishtina ka marrë dronët Bajraktar nga Turqia, por ka marrë gjithashtu edhe sistemin antitank OMTAS me rreze veprimi deri në 4.500 metra, obuset Boran të kalibrit 105 mm, mjetet luftarake të këmbësorisë Vuran, si dhe ALKAR mortaja të kalibrit 120 mm.

Sa i përket mandatit të KFOR-it, ai rrjedh nga Aneksi 2 i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili thotë se “prania ndërkombëtare e sigurisë me pjesëmarrjen thelbësore të NATO-s duhet të vendoset nën komandën dhe kontrollin e unifikuar dhe të fuqizohet për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosova, si dhe për të lehtësuar kthimin e sigurt të gjithë personave të zhvendosur dhe refugjatëve në shtëpitë e tyre”.

NATO themeloi misionin e KFOR-it në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të bombardimeve ndaj Serbisë.

/Shqip.com