Lajme

Trusti: Tërheqja e mjeteve financiare duhet të shqyrtohet si hap i fundit

Fond i Kursimeve Pensionale është i gatshëm që të lëshojë mjetet financiare për qytetarët në rast se për këtë ka një vendim nga Kuvendi i Kosovës.  Përfaqësues të Fondit kanë raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere lidhur me zhvillimet e fundit në tregjet financiare dhe ndikimin në kursimet e qytetarëve.

Ruzhdi Morina, kryetar i Bordit Drejtues të Fondit Pensional ka deklaruar se tërheqja e mjeteve financiare duhet të shqyrtohet si hap i fundit.

“Si institucion nuk duam të përfshihemi në debate politike. Mbetet përgjegjësi e kuvendit si do ta trajtojë këtë çështje për fondet. Institucioni ynë mbetet i përkushtuar në implementimin e vendimeve që sjellë kuvendi”, tha ai.

Ai ka thënë se perfomanca e investimeve ka filluar të këndellet në dy muajt e parë të këtij viti.   

“Në muajin shkurt investimet ndërkombëtare pësuan rënie prej rreth 90 milionë euro në investimet e Trustit, kthimi i investimeve ka ulur humbjet në rreth 50 milionë euro”, ka thënë ai.

E drejtori i Trustit, Adrian Zalli, tha se për momentin Trusti ka mbi 2.2 miliardë para.

“Nëse shikojmë performancën e tregjeve, ne kemi pasur performancë të mirë pritjet për 3 muaj janë vështirë të cilësohen por jemi të pozicionuar mirë për t’i dalë ballë problemeve. Rikuperimi ka marrë 2 vjet dhe e njëjta ka qenë edhe në tregjet financiare. Gjysma e rikuperimit vetëm ka ndodhur mirëpo si do të zhvillohen tash e tutje pritet të shikohen. Mbi 2.2 miliardë totali i parave aktuale në trust”, tha ai.

Ndryshe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka propozuar që të merret vendim dhe të lejohen qytetarët të tërheqin mjetet nga trusti pensional si mënyrë për lehtësimin e gjendjes ekonomike pas krizës. /Shqip.com