Lajme Botë

Trump rihap burgun e Alcatrazit, kriminelët më të rrezikshëm do të dërgohen atje

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi dje, të dielën, se i ka urdhëruar administratës së tij dhe agjencive përkatëse shtetërore të rindërtojnë dhe rihapin burgun famëkeq të Alcatrazit, në Gjirin e San Franciskos, në mënyrë që kriminelët më “të dhunshëm” dhe “recidivistë” të mund të dërgohen atje.

“Për një kohë shumë të gjatë, Amerika është përballur me një plagë kriminelësh, të egër, të dhunshëm, recidivistësh, llumin e shoqërisë që nuk sjellin asgjë tjetër përveç mjerimit dhe vuajtjes”, tha republikani nëpërmjet Truth Social.

“Kjo është arsyeja pse sot kam urdhëruar Byronë e Burgjeve, si dhe Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare, që të rihapin, zgjerojnë ndjeshëm dhe rindërtojnë Alcatrazin për të strehuar kriminelët më të rrezikshëm dhe të dhunshëm të Amerikës”, vazhdoi ai.

Ai deklaroi gjithashtu në të njëjtin postim se qeveria e tij nuk do të mbahet “peng” nga gjyqtarët që e pengojnë atë të deportojë “kriminelë” dhe “banditë” që “erdhën në vendin tonë ilegalisht” – pa shpjeguar nëse, apo çfarë, urdhri i tij për të rihapur këtë burg ka të bëjë me politikën e tij anti-imigracion.

Sipas Presidentit Trump, rihapja e burgut, i cili u mbyll në mars të vitit 1963, do të jetë një “simbol i ligjit, rendit dhe drejtësisë”.

Burgu i Alkatrazit, ku dikur mbaheshin bosët e mafias, më i njohuri Al Capone, u mbyll vetëm 29 vjet pasi u hap, për shkak të kostove të tepërta të funksionimit të tij, sipas Byrosë së Burgjeve të SHBA-së.

Dy kilometra larg bregdetit, ish-burgu tani është një atraksion turistik në Gjirin e San Franciskos, Kaliforni.

Republikani e ka bërë luftën kundër krimit një element kyç të mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

/Shqip.com