Sport Shqiptar “Futbolli nuk është vetëm për meshkuj”

Tina Kolgeci – “gardiane” e portës dhe e shpresës

Tina Kolgeci - numri 1 i Përfaqësues së Kosovës në futboll

Në ndeshjet kampionale, stadiumet janë të zbrazëta. Familjarët janë të vetmit tifozë – që nuk i tradhtojnë kurrë.

Teksa, kur e djersitin fanellën e Përfaqësueses – “lufta” për ta siguruar një biletë është e madhe.

Numri 1 i Përfaqësueses së Kosovës, Tina Kolgeci për Shqip.com, ka rrëfyer për dashurinë e saj të quajtur “futboll”, dallimet gjinore që bëhen në këtë sport dhe shumë gjëra tjera.

Ajo tregoi që në tokën dardane, përkrahja në futboll nuk është e njëjtë – për të dyja gjinitë, por ky fakt nuk e ka ndal dot.

“Mendoj që në vendin tonë – shikuesit i dallojnë sportet në bazë të gjinisë, por nuk jam ndjerë asnjëherë e pa përkrahur, madje përkundrazi, sepse në vendin tonë femrat kanë qenë çdoherë më të suksesshme se meshkujt.

Në ndeshjet e kampionatit të Kosovës, shikues i kemi thuajse gjithmonë vetëm familjarët tonë, kurse me kombëtaren ka mjaftë shikues që na kanë përkrahur – të cilët nuk kanë munguar as në ndeshjet jashtë shtetit”, tregoi ajo fillimisht.

Tina, po ashtu se deri para pak kohësh shumë njerëz nuk e kanë pasur idenë se ky sport ekzistonte edhe për konkurrencën e femrave.

“Në fillimet e mia – nuk është se jam paragjykuar shumë, por njerëzit nuk e kanë ditur që ka futboll në konkurrencën e femrave. Dhe ndoshta nganjëherë, kur i kam treguar që luaj futboll kanë mbetur të habitur paksa, sepse këtë sport e kanë konsideruar gjithmonë më shumë si sport të meshkujve”, tregoi ajo fillimisht.

Por, sa i përket kushteve, Tina potencoi se “nuk mund të them se janë të njëjta për të dyja gjinitë, pasi te meshkujt ka pasur më shumë investime – viteve të fundit. Por, në klubin ku unë luaj, KFF Mitrovica kushtet janë më të mira se te ekipet tjera”.

Ta bartësh fanellën e Përfaqësueses dhe “injorimi mediatik” për kampionatin

Kolgeci, e shpjegoi se çfarë ndjenje është ta bartësh fanellën e Kosovës, për të cilën ndjen krenari përderisa flet.

“Të arrish të luash për kombëtaren nuk është ndonjë gjë e lehtë, andaj edhe unë ndihem shumë krenare dhe e lumtur që e veshi atë fanellë. Është një nder dhe kënaqësi të jesh në fushë përballë flamurit dhe intonimit të himnit të shtetit tënd dhe ke mundësi ta përfaqësosh atë”, përmendi anëtarja e KFF Mitrovicës.

Pakënaqësi ajo dhe koleget e saja, kanë ndaj hapësirës që i ofrojnë mediat, pasi mungon transmetimi i ndeshjeve kampionale – për dallim nga disa sporte tjera.

“Thënë të drejtën, media nuk japin shumë lajme rreth futbollit femëror. Ndeshjet e volejbollit dhe hendbollit transmetohen në televizione – edhe nëse nuk transmetohen tregohen të paktën rezultatet, kurse në futboll diçka e tillë nuk ndodhë.

Në futboll nuk transmetohen as rezultatet e lojërave që bëjmë gjatë kampionatit, ndërsa për ndeshjet më kombëtare ka pasur interesim dhe është një gjë e mirë sepse kur luajmë jashtë Kosove – familjarët tanë dëshirojnë që të na shikojnë”, përmendi Tina.

Për fund, ajo dha një mesazh për të gjitha vajzat që pasion e kanë sportin, duke i motivuar që të shkrijnë çdo atom në punë.

“Mundohuni të punoni maksimalisht dhe përkushtojuni atij sporti që mendoni se keni talent dhe punë çdoherë do të shpërblehet me sukses”.

Kolgeci konsiderohet si një portiere me një të ardhme të ndritur dhe si njëra nga më të mirat në Kosovë – në këtë sport.

Ajo është kampione e Superligës dhe Kupës së Kosovës më KFF Mitrovicën, skuadër e cila po “mbretëron” në futbollin vendor – viteve të fundit. /Shqip.com