Thomaidha Tanuçi / Nata e shpirtrave
Publikuar:
(31.10.2023 20:09:31)

NATA E SHPIRTRAVE
Po ndihen hapa,
nën hijen e hënës,
ndanë lumit
të ëndrrave;
mbuluar
nga mjegulla
e “Frymëve të vdekura”.
Kjo grykë e lumit,
nxika sterrë,
porsi portë e Hadit.
Këlthisni, thërrisni,
vorbulla të frikshme;
erdhi koha t’u kthej aty
ku lindët.
Në qiell
ndizen yjet
e retë shpërndahen
dalëngadalë.
Ja Rrugë e qumështit,
Arushë e madhe,
Orioni…
Mos rrini fshehur!
Kalimtarë
të humnerave të frikshme
hyni brenda!
“Shtëpia e shpirtrave”
nuk ka vend për varre.
Po sonte Karontin nuk ka kush ta paguajë?!
Në orën e fantazmave,
shpirtrat jane të lirë si ajri,
ngrenë dolli me kupat e yjeve,
dehen me mushtin e kaltërsive,
i këndojnë himn
vëllazërisë së hijeve.
Ruajna Zot!
Po të zbardhë agimi
e shpirtrat të veshin kostume?!
/Shqip.com