Themelohet Fondi për Art Feminist: Temat e fuqizimit të grave trajtohen në mënyre artistike

Organizata jo qeveritare Artpolis, ka themeluar Fondin për Art Feminist.
Fondi për Art Feminist, ka nisur që nga janari i vitit 2022, dhe në kuadër të këtij fondi temat e fuqizimit të grave e vajzave do të trajtohen në një mënyre artistike.
Sipas një komunikatë për media, gjatë muajit shkurt do të jepen premierë katër vepra artistike të artisteve dhe artistëve me tema e mënyra të ndryshme të prezantimit.
“Me dashuri e për dashurinë nis prezantimi i veprave në kuadër të Fondit për Art Feminist. Më 14 shkurt nga ora 18:00 në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë përformanca “Vet” nga Andi Krasniqi e Arbnora Ademi”, thuhet në komunikatë.
Shfaqja “Vet” ka qëllim të ngritë vetëdijen te shumica mbi të vërtetat e tranzicionit, ku do të paraqiten, dëshira, ankthi, realiteti personal i personazhit, dhe sfidat e gjykimet që u bëhen njerëzve.

Ndërkaq, më 18 shkurt, para publikut në Teatrit Oda nga ora 18:00 do të prezantohet koreodrama e Leudrita Mustafës me titull “Grua mos hesht”.
Kjo vepër vjen si narracion kundër dhunës ndaj grave, dhe sfidat me të cilat ato ballafaqohen në përditshmëri.
Sipas njoftimi “Grua mos hesht” vjen si thirrje për të gjitha gratë që të mos tolerojnë padrejtësitë ndaj tyre e të kërkojnë ndihmë për t’u çliruar nga prangat e patriarkatit.
Një tjetër shfaqje do të jepet edhe më 22 shkurt, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, premierë baleti “Equal” me koreografi të Robert Nuhës me fillim nga ora 20:00.
““Equal” është projekti më i ri i artistik i kompanisë “Noa Dance Theater”, i cili vjen si rrjedhojë e kërkimeve të koreografisë së bazuar në teknikat më të fundit të dansit bashkëkohorë, konkretisht në improvizim të kontaktit, të cilat nxjerrin në pah shtypjen gjinore si akt i dhunshëm dhe i dëmshëm fizik e psiqik”, thuhet në komunikatë.
Kurse, më 24 shkurt në Sallën Koncertale të Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Prishtinës do të prezantohet vepra “Sonatë e Kristaltë” nga Entela Qarkagjija.
“Sonatë e Kristaltë” është një performancë në siluetë, duke luajtur në violë e piano që sjell narracionin mbi sfidat dhe paragjykimet me të cilat përballen instrumentistët, veçanërisht gratë.