Lajme

Të verbrit në Kosovë përballen me shumë sfida

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Kosova ka rreth 5 mijë persona të verbër. Telashet me të cilat ata përballen janë të shumta. Ato nisin që nga mungesa e hapësirave të dedikuara për të lëvizur ata e deri te mundësia për arsimim.

Jo gjithmonë Jusuf Fazliu ka mundësinë të ecë nëpër shiritin për të verbrit në rrugët e kryeqytetit. Që ai dhe rreth 5 mijë të verbër të Kosovës të ecin më lehtë, nevojiten semaforët akustikë, pllakat taktile apo sinjalizuesit në autobusë, mirëpo në pjesën më të madhe të hapësirave publike, kjo infrastrukturë mungon.

“Nuk ka pllaka taktile ku mundet një person i verbër të jetë i pavarur. Semaforët edhe pse janë akustik nuk janë të vendosur mirë. Ata më shumë e çorientojnë një person të verbër dhe pastaj kemi edhe problemet në trafikun urban, ku mungon sinjalizimi i duhur”, ka thënë Jusuf Fazliu, person i verbër.

Infrastruktura e duhur për lëvizje të këtyre personave nuk është problemi i vetëm i tyre.

“Probleme ka pas të vazhdueshme por nuk jemi dorëzuar. Probleme kryesore kemi pas në literaturë për lexim gjatë shkollimit, problemet infrastrukturore brenda universitetit dhe brenda kryeqytetit dhe çështja kryesore ka qenë punësimi, për arsye se jemi paragjykuar nga institucionet dhe nuk na u ka mundësuar punësimi”, ka shtuar Fazliu.

Megjithatë, me ndihmën e babait si shoqërues, Jusufi ka arritur që pengesat t’i kthejë në suksese.

Ai ka arritur të jetë student doktorature në Universitetin e Tetovës dhe punon dispeçer në Trafikun Urban.

Për vështirësitë që has kjo kategori e shoqërisë, tregojnë edhe në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës.

“Vështirësi ka shumë, sfida ka shumë, pengesa ka si të del në rrugë një person i verbër veç ballafaqohet me pengesa. Infrastruktura është e papërshtatshme. Tek tash ka filluar Prishtina t’i krijojë kushtet duke i bërë stazat taktile. Moszbatueshmëria e ligjit veç e vështirëson këtë sidomos në aspektin e sigurimit të pajisjeve ndihmëse ,të cilat e lehtësojnë integrimin e personave të verbër”, tha Daut Tishuki, drejtor në shoqatën e të verbërve në Kosovë.

Nga kjo shoqatë u bëhet thirrje kryetarëve të komunave të Kosovës që të bëjnë më shumë për këta persona dhe kur planifikohet ndërtimi apo restaurimi i rrugëve dhe vendosja e shenjave në komunikacion, të vendosen të duhurat edhe për këta qytetarë. /RTK

/Shqip.com