Të paktën 15 persona të vrarë nga sulmi në hotelin në kryeqytetin e Somalisë

Të paktën 15 persona janë vrarë pasi persona të armatosur të paidentifikuar sulmuan një hotel luksoz në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu.
Siç ka raportuar CNN, ngjarja ka ndodhur të premten në mbrëmje.
Ahmed Abdi, një mjek në Spitalin Madina, tha se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet dhe shumë viktima janë në gjendje kritike.
Madina është një nga dy spitalet kryesore në Mogadishu ku u pranuan shumica e viktimave nga sulmi në Hotel Hayat.
Spitali ende po merr trupa dhe të tjerë të plagosur, tha Abdi.
Majori i policisë Farah Hussein konfirmoi për CNN se forcat somaleze të sigurisë kishin hyrë në ndërtesën e hotelit Hayat dhe kishin rifituar pjesën më të madhe të kontrollit nga personat e armatosur. Zona frekuentohet nga ligjvënës dhe zyrtarë qeveritarë.
Dy zyrtarë të sigurisë, duke përfshirë shefin e inteligjencës së Mogadishu, Muhidin Mohamed, u plagosën në sulmin në vazhdim, tha Dahir.
Detajet mbetën të paqarta, megjithatë rrethimi vazhdoi.
Grupi terrorist i lidhur me Al Kaedën, Al-Shabaab, mori përgjegjësinë për sulmin në një deklaratë të postuar në faqet e saj online, duke thënë se luftëtarët e saj arritën të pushtonin hotelin pasi shpërthyen në ndërtesë.

Një sulm ajror i SHBA-së të dielën vrau 13 anëtarë të grupit al-Shabaab , sipas një deklarate nga Komanda e SHBA-së në Afrikë në fillim të kësaj jave.
Është e paqartë nëse sulmi i së premtes është i lidhur me atë sulm.
Në maj, presidenti i SHBA Joe Biden vendosi të ridislokojë trupa në Somali në mbështetje të qeverisë lokale dhe kundër al-Shabaab.
Ky veprim ndryshoi një vendim të ish-presidentit Donald Trump për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga vendi./Shqip.com