Të martën mbahet koncerti kushtuar Nexhmije Pagarushës

Koncerti Ndërkombëtar i Operës së Ramë Lahaj, të martën do t’i kushtohet artistes së ndjerë Nexhmije Pagarushës.
Koncerti do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës së Kosovës, duke filluar prej orës 20:00.
“Këtë vit kjo mbrëmje e veçantë, kushtuar artistes së madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, vjen me një kombinim të mrekullueshëm të artistëve shqiptarë, duke filluar që nga solistët e Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës, si Armando Likaj tenori shqiptar Klodjan Kacani e deri tek sopranot tona të shquara, Zana Abazi e Arta Jashari, duke përfshirë edhe talentët tanë të rinj, Granit Musliu e Mirlinda Koci që u veçuan në edicionin e vitit të kaluar të RLIOF”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, thuhet se do të ketë edhe versione të këngës shqipe, duke përfshirë edhe ato të kënduara nga artistja e madhe Pagarusha. Artistët do të shoqërohen nga Menan Berveniku në Piano.
Kjo mbrëmje organizohet për ta nderuar për kontributin e saj në muzikën shqiptare.
Pagarusha vdiq në moshën 86 vjeçare më 7 shkurt të vitit 2020.
Përgjatë karrierës është cilësuar si “Bilbili i Kosovës” dhe për vlerat e punës së saj është nderuar me çmimin “Nderi i Kombit” nga presidenca e Shqipërisë, ndërsa presidenca e Kosovës i ndau çmimin “Artiste e Merituar”./Shqip.com