OP-ED Analiza

Të Djathtët përballë euroskepticizmit ballkanik?!

Ben Andoni
Ben Andoni

Publikuar:

Evropianët do shkojnë këta javë në zgjedhjet, që parashihen të ndryshojnë deridiku konfigurimin e zakonshëm të bllokut. Më saktë, nga 6 deri më 9 qershor, llogariten rreth 400 milionë njerëz në 27 shtetet anëtare të BE-së do të kenë të drejtë të votojnë për 720 anëtarët e ardhshëm të Parlamentit Evropian (PE). Parlamenti Evropian, një nga tre institucionet kryesore të Bashkimit Evropian, konsiderohet përgjegjës sa i përket ligjeve dhe buxheteve të BE-së. Ai përbëhet nga eurodeputetë, të cilët zgjidhen nga secili shtet anëtar dhe bashkohen për të formuar grupe partiake evropiane. A do të ketë ndikim rezultati i zgjedhjeve të PE-së në Ballkan dhe veçanërisht në vendin tonë, lidhur me euroskepticizmin?

Shqipëria është vendi kryesor ballkanik, që e mbështet pothuaj pa asnjë rezervë anëtarësimin në BE. Muaj më parë (2022), Eurobarometri e përshkruante në 95.9 % numrin e të anketuarve, që e mbështesnin anëtarësimin në BE, kundrejt vetëm 0.5 % që nuk e mbështesnin. Në Kosovë e përkrahnin 92 % e të anketuarve dhe vetëm 4 % syresh nuk e mbështesnin integrimin evropian. Federata e Bosnje-Hercegovinës pa Republikën Srpska kishte po ashtu vlera të larta. Referuar këtyre të dhënave, 77.4 % e të anketuarve do të votonin për hyrjen e BeH në BE, ndaj 16 %, që e kundërshtonin anëtarësimin në BE, shifër që konsiderohet si 4% më shumë se një sondazh i ngjashëm i vitit 2021. Në llogaritje të tjera, mbështetja në Federatën e BeH rezultonte deri në 90 %, por në Republikën Sërpska 54.5% dhe kjo kuptohet. Shifra të larta përmbante edhe Mali i Zi: Sondazhi i CEDEM-it i 21 dhjetorit 2022 tregonte se 75% e të anketuarve mbështesnin anëtarësimin e Malit të Zi në BE, ndërsa 13 për qind kundërshtonte.

Në Maqedoninë e Veriut shifra shkonte në rreth 49 % numri i të anketuarve, që e mendonin se në përgjithësi anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian do të ishte një gjë e mirë, kundrejt 34 %, që nuk e mendonin kështu. Kjo llogaritej me një rënie prej 20 për qind në mbështetjen e anëtarësimit në krahasim me sondazhin e mëparshëm. Kurse në Serbi, vetëm 43 % do të votonin për anëtarësimin e Serbisë në BE, kundrejet 32 % syresh që do të votonin kundër dhe, 13 % nuk do të votonin fare ashtu si ishte edhe një shifër prej 12% që nuk e dinte se si do të votonin.

Por duke u kthyer në argumentin tonë: Nëse llogaritet që Partitë populiste të ekstremit të djathtë do të kenë shumë rritje, me gjasë kjo do të ndikojë në përgjithësi në rritjen e euroskepticizmit në Bashkimin Evropian. Theksi është se këto ndikime, në rast të ndryshimeve strukturore, do ndikojnë hapur në axhendën e ardhshme të politikës së bllokut, legjislacionin dhe mbi të gjitha politikën e jashtme.

Deri më tani kanë dominuar partitë e qendrës me koalicionin e madh nga Partia Popullore Evropiane, Socialistët dhe Demokratët dhe Renew Europe. Ndërkohë që sondazhet e fundit të opinionit sugjerojnë fitore të mëdha për Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR), e cila përfshin “Vëllezërit e Italisë” së kryeministres aktuale italiane Meloni, që nesër vjen në Shqipëri dhe Partinë për “Ligjin dhe Drejtësinë” e Polonisë, si edhe grupin radikal të djathtë “Identiteti dhe Demokracia” (ID), i cili përfshin Marine Le Pen dhe Partinë për Liri të Holandës.

Ka vite që Ballkani pret përgjigje pozitive për integrimin, por metodologjia ka ndryshuar ndërsa tashmë në Bashkimin Evropian është cilësuar viti 2030, si caku i ri për Ballkanin Perëndimor në përpjekjet e tij për t’u bashkuar me BE-në. Në fakt premtimet, shtyrjet, propozimet e kanë drobitur Ballkanin, ndërsa artikulimet për të shpesh konsiderohen si retorikë boshe. Të mendosh se ka vende si Maqedonia e Veriut, që e ka nisur gati më shumë se 2 dekada para procesin apo Mali i Zi, që është më i përparuari mes nesh dhe mezi ka mbyllur 3 kapituj ndër 35 syresh, atëherë kupton se nuk mund të parashihet asnjë datë, që mund të na ngrohë. Ndërkohë, Shqipëria, angazhimin e saj e ka konfirmuar pothuaj afro 3 dekada më parë dhe nuk lë mundësi pa e shprehur. Përballë, dëshirave publike dhe të politikanëve, zyrtarët e huaj vazhdojnë të thonë se integrimi përbën një nga prioritetet më të larta politike të saj. Por a do jetë vallë vërtetë kështu me politikat e reja? Këtë askush nuk e parashikon dot më. Ashtu si thoshte pak kohë më parë ambasadori Mazi, duket se vetë integrimi është bërë abstrakt. Shqetësimi është nëse do ta shtojë një qëndrim ndryshe i politikave të PE-së euroskepticizmin. Do të presim dhe do të shohim, por një gjë është e ditur: ka rënë entuziazmi i integrimit, sepse edhe integrimi është i lodhur me sa duket me dëshminë dhe pohimin tonë të respektit për të.

/Shqip.com