Takimi kokë më kokë me Trump, reagon Zelensky: Historike, nëse arrihet fundi i luftës!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se takimi që zhvilloi në Vatikan me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, mund të rezultojë historik, nëse arrihet përfundimi i luftës, temë për të cilën ata diskutuan.
“Takim i mirë. Ballë për ballë, arritëm të diskutojmë shumë gjëra. Shpresojmë për një rezultat nga gjithçka që u diskutua,” shkroi Zelensky në një postim të tij.
Ai tha se temat e diskutimit përfshinin “mbrojtjen e jetës së popullit tonë, një armëpushim të plotë dhe pa kushte, si dhe një paqe të besueshme dhe të qëndrueshme që do të parandalojë përsëritjen e luftës.”
Zelensky shtoi: “Ishte një takim shumë simbolik që ka potencialin të bëhet historik nëse arrijmë rezultate të përbashkëta. Faleminderit, President Donald Trump!”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takuan për rreth 15 minuta në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
Fotot e publikuara nga zyra e Zelensky-t tregojnë të dy liderët të ulur përballë njëri-tjetrit në mes të një salle mermeri. “Ata patën një bisedë produktive,” deklaroi më herët një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Një tjetër fotografi e publikuar tregon Trump-in dhe Zelensky-n duke qëndruar në të njëjtin vend bashkë me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron.
Pas funeralit të Papa Françeskut dhe bisedës me liderin ukrainas, Trump u largua nga Roma për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara.
Presidenca franceze e përshkroi takimin mes Trump, Zelensky, Starmer dhe Macron si “pozitiv”.
/Shqip.com