Lajme

Takimi i “akullt”, Rama-Brnabiç nuk e shohin njëri-tjetrin në sy

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç ka mbërritur në Tiranë në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit. Ajo u prit nga Edi Rama para Kryeministrisë, ku pati edhe një shtrëngim të ftohtë duarsh. Rama dhe Brnabiç shmangën edhe kontaktin sy më sy.

Kreu i shtetit serb, Aleksandar Vuçiç ka zgjedhur të mos jetë në Samitin e Tiranës. Ai ndodhet në Kinë, ku do të marrë pjesë në Forumin e tretë “Brez dhe rrugë” që nis të martën në Pekin.

Gjatë punimeve të Samitit të BE për Procesin e Berlinit me vendet e Ballkanit Perëndimor do të diskutohet edhe për situatën në Kosovë, pas sulmit terrorist në Banjskë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha një ditë më parë në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama se baza për pajtimin e Prishtinës me Beogradin është marrëveshja e Ohrit. Ajo apeloi që Serbia dhe Kosova t’i kthehen tryezës së dialogut.

Megjithatë, nga punimet e Samitit të Tiranës nuk pritet të adresohen zgjidhje për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

/Shqip.com