Tahiri thotë se Qeveria po i lë qytetarët në mëshirë të kohës

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka shkruar se Qeveria e Kosovës, nuk ka siguaruar asnjë kontratë për energji, e që po i lë qytetarët në mëshirë të kohës.
Sipas tij, ekzekutivi po merret me përgatitjen e videove propagandistike, duke thënë se krejt kjo e ka një qëllim.
“Në vend se të fokusohej në sigurimin e kontratave të leverdishme, ajo ka shpenzuar kohën dhe potencialin në përgatitjen e videove propagandistike. Kjo me qëllim të shpërqëndrimit të opinionit nga sfidat dhe problemet reale. Madje në funksion të justifikimit të këtij dështimi, ajo ka prodhuar narracione të edukimit publik e qytetarë”, shkruan Tahiri.
Por kjo nuk është rastësi për Tahirin sepse partia në pushtet asnjëherë nuk ka menaxhuar me staf dhe burime.
“Kjo qeveri është duke jetuar jashtë kohës, rrethanave dhe realitetit. Nuk është për t’u befasuar sepse shumica e anëtarëve të këtij kabineti, kurrë në jetën e tyre nuk kanë menaxhuar me staf, burime, dhe as nuk janë përballur me ndonjë sfidë!”, ka shkruar në Facebook, Tahiri.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, para dy javësh e ka prezantuar përmes ministres Rizvanolli, planin për tejkalimin e krizës me energji në muajt e dimrit.
Në konferencën e mbajtur Rizvanolli kishte deklaruar se Qeveria do të subvencionoj energjinë për ata që shpenzojnë më shumë se 800kw.
/Shqip.com