Lajme

Tahiri: Puna e vetme e mirë e kësaj qeverie është krijimi i Fondit të Sigurisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vazhduar kritikat për punën e Qeverisë së Kosovës.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, vlerëson se qeveria nuk ka arritur t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve ngase në këtë kohë kemi shtrenjtim të produkteve ushqimore e rritje të energjisë elektrike.

Ndërkaq nuk ka pasur ndryshim tek pagat pasi ato nuk kanë shënuar rritje.  

Ai ka kritikuar punën 1 vjeçare të Qeverisë Kurti II.

“Një vit pas Kosova është në udhëkryq pa vizion e qytetari është më i varfër. Reagimi i vonshëm nga Qeveria ka bërë që energjia të rritet 100 përqind në kurriz të qytetarit. Derivatet dhe secili produkt ushqimor është rritur në nivele të pa krahasueshme. Përderisa  paga në sektorin publik e privat ka mbetur e njëjtë. Inflacioni ka zbritur e devalvuar vlerën e pagës, e qytetari është vënë në pasiguri e panik.  Nëse pyet dikush cila është puna e vetme e mirë e kësaj qeveria, lehtësisht e dimë se është krijimi i Fondit të Sigurisë”.  ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova ka shënuar hapa mbrapa edhe në politikën e jashtme. Ka cekur vetëm një sukses të Qeverisë që është krijimi i Fondit të Sigurisë.

“Në rrafshin ndërkombëtar Kosova ka ulur kredencialet, me komunikim të gabuar, e mos besueshmëri ndaj partnerëve. Raporti me ShBA është dëmtuar dukshëm, ndërsa pozicioni ynë me vendet e BE-së është në pikën më të ulët që ka qenë ndonjëherë. Dialogun e trajtojmë në nivel të teknikëve, ndërsa raportin me Serbinë e trajtojmë prej teme në temë, sikurse rasti i mbajtjes së zgjedhjeve më 3 prill”,  është shprehur Tahiri. /Shqip.com