Lajme

Tahiri: Kosova është vendi i vetëm në rajon pa Kod Civil

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në konferencë për media.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se Kosova është i vetmi vend në rajon dhe në Evropë që nuk ka Kod Civil.

Në deklarimet pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri tha se Shqipëria ka Kodin Civil që nga koha e Zogut.

“Është e vetmja Republika e Kosovës në rajon tonin që nuk ka Kod Civil. Republika e Shqipërisë, prej kohës së Zogut e ka Kodin Civil. Pra, jemi i vetmi vend që ne nuk kemi Kod Civil në rajon edhe në Evropë”, tha Tahiri.

Tahiri tha se Kodi Civil është dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës së një shteti.

“Kodi Civil është fatkeqësi që krejt diskutimi është fokusu në një pikë të vetme. Kodi Civil është dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ky dokument, mund të them lirshëm që qytetarët e Kosovës mund të jetojnë një jetë të tërë nga lindja deri në vdekje dhe mos me u prek kurrë nga Kodi Penal sepse nuk bëjnë vepra penale mirëpo, Kodi Civil e prekë jetën e secilit qytetarë në Republikën e Kosovës dhe nuk duhet të reduktohet debate si herën e kaluar sepse është një dokument shumë voluminoz dhe duhet të shihet në tersi përmbajtja e atij dokumenti”.

Projekt Kodi Civil parasheh edhe bashkëjetesën në mes të partnerëve të së njëjtës gjini po kundërshtohet nga disa deputetë të partive opozitare si dhe disa nga pozita.

Në një intervistë për EO, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, tha se Kodi Civli është i nevojshëm por nuk do ta votojnë pa ndryshimet e kërkuara.

“Unë besoj që kodi civil është shumë i rëndësishëm dhe besoj që duhet të votohet një Kod Civil. Sigurisht që ne i dimë qëndrimet e secilit dhe janë publike derisa nuk ka një ndryshim në atë aspekt unë e kam dhënë qëndrimin”, tha Lushtaku.

Sipas Lushtakut, disa nene të caktuara e kanë sjellë mosvotimin e një Kodi Civil.

“Ne kemi mundësinë t’i kërkojmë Qeverisë që të vijë me ndryshimin e kërkuar nga deputet te cilët nuk e kanë votuar dhe për neve duhet të kalojë ai Kod Civil sepse është i nevojshëm dhe të mos mbetet peng për disa nene të caktuara të cilën fatkeqësisht e kanë sjellë të mos votohet një Kod Civil i tillë”.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se kjo parti ka qenë mjaft  e qartë dhe nuk do ta votojë Kodin Civil.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë mjaft i qartë. Nuk do ta votojmë Kodin Civil. I kemi arsyet dhe kemi konsultuar elektoratin dhe kemi marrë përgjigje që ne nuk duhet ta votojmë Kodin Civil”.

Sipas Lekajt, nëse ky projekt-kod civil ndryshohet, ka mundësi që të bisedohet serish por, deri më tani qëndrimi i tyre nuk ndryshon.

“Ashtu siç e kanë sjellë në Kuvend nëse ndryshohet atëherë ne mund të bisedojmë, por me këtë ofertë që e kanë bërë Qeveria ne nuk do ta votojmë Kodin Civil”, tha Lekaj.

Nuk kalon Projektkodi Civil që rregullon bashkëjetesën mes personave të gjinisë së njëjtë – SHQIP.com

Në sesionin pranveror të Kuvendit, pas shumë debateve rreth këtij projektkodi, 29 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan kundër, kështu duke shënuar mazhorancën.

Ndërsa 28 të tjerë ishin pro, kurse 4 deputetë abstenuan.

Sipas kryetari të Kuvendit, Glauk Konjufca në sallë ishin të pranishëm gjithsejtë 77 deputetë.

Projektkodi Civil e definon martesën ndërmjet personave me gjini të ndryshme, si dhe në veçanti për Nenin 1138, paragrafi 2, i cili parasheh “bashkësitë e regjistruara civile me seks të njëjtë”.

Në Projektkodin Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Lexo edhe:

Nuhiu për martesat mes gjinisë së njëjtë: Në pozitë ishin pro, tash në opozitë kundër

Por, në nenin e radhës thuhet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Në Projektkodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.

/Shqip.com