Tahiri: Do të jemi ndër 10 vendet e Evropës që do të paguajmë më së shtrenjti rrymën

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar Qeverinë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, përcjell Shqip.com.
Ai në një konferencë për media pati kritika ndaj deputetëve për mos votimin e mocionit të prezantuar nga ta për vazhdimin e debatit parlamentar për energjinë elektrike.
Sipas tij, nëse rriten çmimet e rrymës, atëherë Kosova do të jetë njëri ndër 10 vendet që do të paguajë më së shumti energjinë elektrike.
“Do të jemi një ndër 10 vendet të BE-së që nuk jemi pjesë e tyre por gjeografikisht, që do të paguajmë më së shtrenjti energjinë. Është e papranueshme, populli më i varfër në Evropë, me të hyrat dhe GDP-në më të vogël, të rangohet në mesin e popujve që paguajnë energjinë më së shtrenjti”, tha ai.
Tutje, Tahiri deklaroi se vendet tjera të rajonit, kanë marrë masa më herët, duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe marrjen e masave për furnizim.
Po ashtu, ai thotë se gjatë kohës së Qeverive të kaluara, tarifat e rrymës kanë qenë më të lirat, duke iu përgjigjur kështu kritikave të Kurtit ndaj opozitës gjatë seancës, të enjten.
Deputeti opozitar shtoi se do të insistojnë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të diskutohet ngritja e çmimeve të energjisë.
“Paga në sektorin privat nuk e përballon një ngritje të tillë. Një seancë e tillë është e nevojshme dhe miratimi i një rezolute që do ti kërkojë ZRrE-së për mos ngritjen e çmimeve. Për ne është e rëndësishme parandalimi i energjisë elektrike”, ka thënë tutje ai./SHQIP.com