Lajme

Tahiri deklarohet për punën e shurdhusit: Jam kërcënuar me grua e fëmijë për këtë punë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka ftuar prokurorinë e shtetit të veprojë ndaj deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri.

Sipas Bislimit Tahiri e ka kërcënuar në Kuvend dhe për këtë arsyeje prokuroria duhet të veprojë.

“Deputeti Abelard Tahiri nxori një sërë akuzash për ministren Haxhiu, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni në stilin e një banditi që i vendos shurdhuesin armës së tij u kthye kah unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh, të cilat pastaj i shoqëroi me sharje dhe fyerje nga ulësja e tij. Do të doja që Prokuroria të merret me këtë rast”.

Edhe Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka ftuar prokurorinë që të veprojë ndaj deputetit Tahiri.

“Pak minuta më parë isha edhe unë dëshmitar, pas mbylljes së mikrofonit, nga ulësja e tij, Abelard Thairi kërcënoi dhe shau zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Ftoj prokurorinë që të trajtojë kërcënimin e një personi që ka mbajtur armë shurdhuese për shumë vite”, tha ai.

Lidhur më këtë ka ardhur edhe reagimi nga vetë Tahiri.

Ai ka thënë se për këtë punë është kërcënuar gruaja dhe fëmija i tij. Tahiri ka thënë se kërcënimi ka ardhur nga një person që gjendet në burg në Podgoricë.

“Është në vuajtje të dënimit në Podgoricë, për organizimin e një vrasje, si rezultat i debatit për shurdhues. Pra është një vrasës në vuajtje të dënimit në Podgoricë, më shkruan mua nga burgu pikërisht për punën e shurdhuesve, me debatin që e beni ju. Janë armë që janë ble për sigurimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës në atë kohë, e që s’ka lidhje me mua. Prandaj ju me këtë retorikë me të cilën na i kërcënoni edhe gratë dhe fëmijët në shtëpi, nuk kemi me ju toleru. Shikoni, kontaktone Policinë dhe e shihni. Pra e kam konfirmimin e Policisë që personi që më shkruan për shurdhues nga burgu në Podgoricë, është një njëri i dënum për organizimin e një vrasje në Podgoricë. Ju me këtë retorikë, keni më u përplas keq me neve”, ka deklaruar Tahiri.

Lexo edhe:
(Dokument) Përveç me armë e fishekë, kabineti i Thaçit del të jenë pajisur edhe me shurdhues

Kujtojmë se Kabineti i qeverisë së ish-kryeministrit Hashim Thaçi kishte blerë pesë paisje të cilat për funksion kishin ndaljen e zhurmës së armëve të zjarrit.

Në dokumentin e siguruar nga SHQIP.com të datës 2 mars 2011, figuron se kabineti ishte furnizuar fillimisht me pesë armë dhe në kuadër të po të njëjtës blerje, ishin blerë edhe pjesë të tjera si shurdhues.

Bashkë me pjesët përcjellëse ato kishin kushtuar 19 mijë euro. Në dokument figuron se janë blerë pesë shurdhues të llojit MP 7 A1.

/Shqip.com