Lajme

Tabaku kërkon t’i vendosen sanksione Serbisë, pas sulmit në Banjskë

Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Jorida Tabaku ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit.

Ajo në një intervistë për KP, thotë se ky akt terrorist i kryer nga serbët duhet të përdoret nga pala kosovare në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.

Tabaku thotë se tash duhet shfrytëzuar momentumin për të bindur ndërkombëtaret për atë që ka ndodhur dhe se pas gjithë kësaj qëndron Serbia.

Parlamenti Evropian miratoi së fundi një rezolutë ku dënon ashpër sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës,  dhe kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Por, kjo sipas deputetes Tabaku nuk mjafton, pasi që ndaj Serbisë duhet vendosur edhe sanksionet për cenim të territorit të Kosovës, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Tabaku ka folur edhe për grumbullimin e trupave serbe ushtarake në kufi me Kosovën,  gjë që u dënua nga BE e SHBA, të cilat e cilësuan si veprim shumë destabilizues.

Ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se dialogu nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë në Banjskë, edhe deputetja e PD-së thotë se procesi nuk mund të vazhdojë nën këto kushte, pasi është provuar se Serbia është palë agresori në Banjska.

Ndryshe, krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian më 27 tetor e kanë dënuar ashpër sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

“Bashkimi Evropian pret që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht, dhe t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, thuhet në konkluzionet e miratuara në fund të samitit.

Në fund të takimit dyditor, të mbajtur në Bruksel, liderët e BE-së kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar që t’i vazhdojnë përpjekjet për ulje të tensioneve, dhe të sigurojnë mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës.

“Dështimi për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja”, është thënë mes tjerash në konkluzione.

Presidentët dhe kryeministrat evropianë kanë shprehur keqardhje për mungesën e zbatimit të marrëveshjes së arritur në shkurt mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

BE-ja ka bërë thirrje që dy vendet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet paraprake, pa vonesa dhe pa parakushte, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, thuhet në dokumente. /KP

/Shqip.com