Szunyogu – deputetëve: Të punojmë për heqjen e masave e t’i kthehemi biznesit

Komisioni për Integrim Evropian ka zhvilluar takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Në takim u diskutua për sanksionet e vendosura nga BE ndaj Kosovës.
Szunyog, tha se deputetëve ua ka sqaruar pozicionin e BE-së dhe masat e marra, si dhe tha se u ka kërkuar që duhet të punohet bashkërisht në mënyrë që masat të kthehen mbrapsht e t’i kthehen biznesit.
“Kishim një diskutim të mirë për situatën në vend dhe marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe BE-së. Çështja kryesore ishte se unë ndava pikëpamjen tonë për gjendjen në veri por edhe për raportet tona. Siç kuptova unë, të gjithë anëtarët e Komisionit, janë të gatshëm të punojnë për zgjidhjen e situatës së tanishme dhe krizës që është krijuar. Ua shpjegova pozicionimin tonë dhe masat. U kërkova që të punojmë për t’i kthyer mbrapsht këto masa dhe t’i kthehemi ‘biznesit’, si më parë”, tha ai.
Ndërsa kryetarja e këtij Aomisioni, Rrezarta Krasniqi, tha se ambasadori i ka njoftuar për masat që janë ndërmarrë nga BE-ja. Ajo shtoi se ndër masat janë pezullimi i fondeve të BE-së e pezullimi i Kosovës nga MSA-ja.
“Shqetësimi im është se nuk po kemi informata, pra është dashur që ta ftojmë ambasadorin lidhur me këto masa të cilat i kanë marrë Bashkimi Evropian sepse nuk kemi pas informacione të hollësishme por vetëm si lajm sepse Qeveria e ka mbajt të fshehur atë që është dërguar 22 qershor, ndërsa sot ambasadori na tregoi për masat që janë ndërmarrë”, u shpreh ajo.
/Shqip.com