Szunyog: Shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën presin përparim në dialogun me Serbinë

Pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës janë Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se sipas diskutimeve me përfaqësues të këtyre shteteve, ata janë duke pritur përparim në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Radio Kosova krahas përparimit në dialog, Szunyog tha se këto pesë shtete presin edhe normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Sipas asaj që kam parë unë gjatë diskutimeve të mia me përfaqësues të zyrave ndërlidhëse të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën por që kanë zyrat e tyre në Prishtinë, ata presin të shohin përparim në dialogun me Serbinë dhe normalizim të raporteve. Kjo mendoj që mund të ndikojë te këto shtete për të parë se si do të vazhdojnë më tutje”, ka deklaruar Szunyog.
Vlen të theksohet se që nga shpallja e pavarësisë, 117 vende e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur. Izraeli është vendi i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovë, dy vite më parë.
Kosova dhe Serbia së fundi kanë arritur marrëveshjen për njohjen e dokumenteve hyrës dalës të njëra-tjetrës.
Ndërsa, si masë të reciprocitetit me Serbinë, Qeveria e Kosovës ka filluar që t’i largojë tragët me akronime duke i ftuar qytetarët që t’i kthejnë ato në RKS.
Këto vendime ngjallën shumë reagime dhe pakënaqësi kështu, duke u rritur edhe tensionet në veri të Kosovës.
/Shqip.com