Lajme

Szunyog pas aksionit në Karaçevë: Angazhimi për sundimin e ligjit është vendimtar për perspektivën evropiane

Tomas Szunyog, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovën, Tomas Szunyog, tha se angazhimi për sundimin e ligjit nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria është vendimtar për zhvillim demokratik të Kosovës dhe perspektivës evropiane, përcjell Shqip.com.

Ky reagim i tij erdhi pasi që Policia e Kosovës kreu një aksion në Karaçevë të mërkurën për “Organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Aksioni i Policisë në Karaçevë.

“Inkurajuese për të parë veprimet e policisë dhe prokurorisë për të luftuar krimin e organizuar në Karaçevë sot. Angazhimi për sundimin e ligjit është vendimtar për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe perspektivën evropiane”, ka shkruar Szunyog në një postim në Tëitter.

Ndryshe, gjatë këtij aksioni, janë arrestuar dy persona, kurse është konfiskuar një sasi e aparateve të lojërave të fatit, shtëpiza kompjuterike, laptopë, pistoletë, gjeneratorë e para të gatshme.

Lexo edhe:
Operacioni në Karaçevë: Dy të arrestuar dhe tri objekte të rrënuara

“Operacioni policor ka filluar që në orët e hershme të mëngjesit si rezultat i një hetimi në vazhdimësi dhe të bashkërenduar mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm dhe aktivitete tjera.

Në këtë rast janë arrestuar dy persona të cilët janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të shtetit  të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në komunikatën për media të Policisë së Kosovës.