Lajme

Szunyog: Kosova e ka obligim ta implementojë marrëveshjen për Asociacionin

Tomas Szunyog - Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se Kosova e ka obligim ta implementojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Szunyog dhënë dy arsye se pse BE-ja e sheh të nevojshëm implementimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, shkruan Shqip.com.

“Njëra është se kjo është një marrëveshje ndërkombëtare që është nënshkruar nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në kontekstin e dialogut dhe marrëveshjet ndërkombëtare duhet të respektohen…E dyta është se disa nga ato marrëveshje janë ratifikuar në Parlamentin e Kosovës nga shumica parlamentare dhe nga sistemi i lidershipit Kosovar”, tha Szunyong në Interaktiv.

Më tutje, ai shtoi se zërat se marrëveshjet nuk do të zbatohen, sipas tij kanë çuar në insistim të BE-së për implementim të tyre.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe

Ndër tjerash, Szunyoug e ka cilësuar obligim legal ndërkombëtar, por edhe kombëtar implementimin e kësaj marrëveshjeje.

“Unë do të prisja që nëse ky është një shtet ku sundon ligji, atëherë duhet të respektohet obligimi i brendshëm ligjor, por po ashtu edhe obligimi ligjor ndaj ndërkombëtarëve”.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese se 23 pika të marrëveshjes s’janë në përputhje me Kushtetutën, Szunyogu ka thënë se Kushtetuesja s’thotë se Asociacioni nuk mund të formohet.

“Më lejoni të jem i qartë në këtë pikë, janë dy marrëveshje. Njëra është prej 2013-s, kjo pra për të cilën unë fola e që është arritur si marrëveshje, është nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend. Ekziston një tjetër marrëveshje e vitit 2015 dhe e cila është vënë nën llupën e Gjykatës Kushtetuese, por Kushtetuesja nuk thotë se Asociacioni nuk mund të formohet dhe se ky obligim nuk mund të përmbushet. Në fakt, thotë se i kërkon shtetit që statuti i këtij Asociacioni duhet të draftohet përsëri dhe të dërgohet edhe një herë në Kushtetuese”, ka deklaruar më tej shefi i BE-së në Kosovë./Shqip.com