Lajme

Sveçla përsëri viziton pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar gjatë ditës së sotme pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Përveç pikave kufitare, ai ka vizituar edhe stacionet e policisë kufitare në Jasenovik e Koshtovë.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka shkruar se bashkë me menaxhmentin e lartë të Policisë së Kosovës, në vizitat e ditës së sotme e ka parë motivin dhe përkushtimin për punë të zyrtarëve policor në pikat kufitare.

“Nga kjo vizitë pashë motivim të nivelit më të lartë tek zyrtarët policor të cilët në koordinim me të gjitha institucionet e sigurisë dhe me përkushtim po vazhdojnë angazhimet e tyre të përditshme që të ofrojnë rend, siguri dhe mbrojtje për të gjithë qytetarët e vendit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Tutje, ai ka theksuar se angazhimi i institucioneve e garanton paqen e qëndrueshme në shtetin e Kosovës.

“Angazhimi i pakursyer institucional dhe siguria vazhdojnë të mbeten prioritete tona duke garantuar kështu sundim të ligjit dhe paqe të qëndrueshme në vend”, ka theksuar Sveçla.

/Shqip.com