Sveçla për zjarrin në Komunën e Zubin Potokut: Akt kriminal me elemente terroriste

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është deklaruar për zjarrin që ka shpërthyer në Komunën e Zubin Potokut mëngjesin e së shtunës, duke thënë se “ky është një akt kriminal me elemente terroriste të shkaktuar nga persona të dyshimtë”.
Ka bërë të ditur se si pasojë e zjarrit është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve dhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Në këtë të fundit, ka thënë se dyshohet edhe për një mjet shpërthyes.
“Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së shpejti do të kemi më shumë informata”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Më tej, është shprehur se këto “veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”.

“Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe është garant i vendimeve sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkundër veprimeve të tilla do të vazhdoj me angazhim të plotë në zbatimin e vendimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
“Ftojmë qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve”./SHQIP.com