Sveçla dhe homologu i tij turk diskutojnë për çështjet policore

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është duke qëndruar në Turqi ku edhe është takuar me Ministrin e Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu.
Sveçla ka falënderuar shtetin turk për ndihmën e dhënë ndaj Kosovës sa i përket shtetëndërtimit.
Homologët janë pajtuar të intensifikojnë bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët.
“Përgjatë vizitës sime në Republikën e Turqisë kam vizituar edhe Komandën e Xhandarmërisë ku pata mundësinë të shoh edhe një demonstrim të aftësive të pjesëtarëve dhe pajisjeve të tyre dhe të diskutoj me ta për intensifikimin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës”
“Me këtë rast shfrytëzova mundësinë që të vizitoj disa prodhues të njohur të armatimit dhe pajisjeve të sigurisë në Sakarya, Izmir dhe Ankara”, ka shkruar Sveçla në rrjetin e tij social “Facebook”.

Sveçla të shtunën do të takohet me Prefektin e Prefekturës së Bursës dhe mërgatën nga Kosova e cila jeton në Turqi ku do të diskutojnë për sfidat e tyre dhe ndihmën që ata mund të ofrojnë në avansimin e shtetit. /Shqip.com