Sveçla: Bandat kriminale në veri, paraqesin kërcënim serioz për qytetarët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas miratimit të raportit për Kosovën nga Parlamenti Evropian.
“Ndajmë shqetësimet e përbashkëta lidhur me situatën sfiduese në pjesën veriore të Kosovës, ku raporti rithekson se bandat kriminale në krye me Milan Radoiqic dhe Zvonko Veselinovic, në lidhje të ngushta me Partinë Progresive të Serbisë, paraqesin kërcënim serioz për qytetarët. Ky fakt theksohet edhe në raportin e Serbisë, specifikisht për lidhjet e tyre me grupet kriminale që veprojnë në veri të vendit tonë.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë vartëse të saj janë dhe do të vazhdojnë të jenë plotësisht të angazhuara për luftimin e këtyre elementeve kriminale dhe garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve. Do të zbatohen masa për adresimin e shpejtë dhe efektiv të kësaj çështje, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Sveçla.
Tutje ka thënë se luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë, mbetet një çështje urgjente dhe se qeveria ka vullnetin për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe pa dallim.
Gjithashtu, ka thënë se shpreson që sistemi i drejtësisë të ndërmarrë veprimet e nevojshme në rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të tyre që garantojnë rritje të efikasitetit dhe realizim të vullnetit tonë të përbashkët.
/Shqip.com