Suspendohet komandanti i Policisë në Lipjan dhe tre zyrtarë tjerë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Drejtoria Rajonale e Prishtinës e ka zbatuar rekomandimin e IPK-së për suspendimin nga puna të katër zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Lipjan.
Sveçla ka theksuar se gjatë ditës së djeshme është takuar edhe me presidenten Osmani dhe se e ka njoftuar për hetimet e Inspektoratit Policor të Kosovës.
“Në takimin e mbrëmshëm të ftuar nga Presidentja, kam njoftuar se IPK është në fazën e fundit të hetimeve ndaj zyrtarëve policor që janë angazhuar në gjithë rastin e tashmë të ndjerës Hamide Magashi, veçanërisht për pjesën e zbatimit të Urdhërit Mbrojtës nga Stacioni Policor në Lipjan”, ka shkruar ministri Sveçla.
Tutje, ai ka thënë se të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal.
/Shqip.com