Sulmohet me mjete shpërthyese sërish Policia e Kosovës në veri

Policia e Kosovës është sulmuar sërish në veriun e vendit, saktëshisht në Sharpej të Jarinjës.
Përmes një komunikate për media, policia ka njoftuar se shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
“Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, thuhet në njoftim.
PK gjithashtu ka njoftuar se nga ky rast nuk ka të lënduar e as dëme materiale,
“Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, në ora 03:10.
Gjatë ditës së premte në një konferencë për media , Policia e Kosovës dhe Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se në veri të vendit prej 13 prillit deri më sot zyrtarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar nga grupe kriminale./Shqip.com